Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shpenzuar nga buxheti i saj gjithsej 159 mijë e 989 euro për disa paga të parregullta, plus për punëtorë që nuk shkuan asnjë ditë në punë gjatë gjithë vitit 2020.
Kjo ministri kishte qenë e obliguar t’i sistemonte 21 punonjës nga struktura e ashtuquajtur “Mbrojtja civile”, në departamente të ndryshme brenda ministrisë, mirëpo e njëjta ka qenë e obliguar edhe ta mbikëqyrë vijueshmërinë e tyre në punë.
Ndonëse nuk punuan 40 orë në javë fare sipas marrëveshjes, ata morën pagat normalisht nga MKRS-ja pa kryer asnjë shërbim, përcjell Buletini Ekonomik.
Për këta zyrtarë, nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) thonë se MKRS-ja nuk ka ofruar ndonjë dëshmi, siç janë: vijueshmëria në punë apo raporte për punën e kryer gjatë vitit 2020, për të konfirmuar vijueshmërinë e tyre në punë dhe për t’i arsyetuar njëkohësisht pagat e dhëna.
“Shpenzimet e pagave gjatë vitit 2020 për të punësuarit e lartë cekur ishin 158,989€”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Kjo kishte ndodhur si pasojë e sfidave në akomodimin dhe strukturimin e qartë të stafit në njësitë ku është dashur të sistemohen siç thonë nga ZKA-ja, edhe pse kjo çështje sipas ministrisë ishte ngritur edhe në organet qeveritare, por që ende nuk ka gjetur zgjidhje.
E pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe rrjedhimisht shkaktojnë dëmtim të buxhetit, si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara në marrëveshje dhe mosintegrim të këtij komuniteti në sistemin aktual, vlerësojnë nga ZKA-ja.
Kështu që, Auditori i rekomandon ministrit që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. Në të kundërtën, këtë problem duhet ta adresojë edhe në Qeveri, duke qenë se problemi si i tillë, po përsëritet për vite me radhë dhe asnjë masë drejt zgjidhjes nuk është ndërmarrë. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/