10 milionë euro për familjet që kanë kredi në bankë

Me prezantimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike, Qeveria e Kosovës ka thënë se prioritet ka çështjen e punësimit. Po ashtu, mbështetje po premtohet edhe për familjet që kanë kredi.

Me rishikimin e buxhetit, Kosova pritet të bëhet me pakon e dytë të rimëkëmbjes ekonomike që nga fillimi i pandemisë.

Vlera e kësaj pako pritet të jetë 420 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria e Kosovës, në prezantimin e Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19, ka thënë se pritet të ndahen 50 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë të punëkërkuesve.

Edhe bërë e ditur po ashtu se do të ndahen edhe 10 milionë euro për mbështetjen e likuiditetit familjar. Me qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro.

“10 milionë për mbështetjen e likuiditetit familjar. Me qëllim të adresimit të likuiditetit familjar, do të subvencionohen kreditë për konsum deri në 3,000 euro. Kjo do t’iu mundësojë shumë familjeve të mbyllin bilancet e kredit-kartelave që kanë interesa shumë të larta, dhe njëkohësisht të përgatiten për vjeshtë duke pasur likuiditetin e nevojshëm për mbulimin e shpenzimeve sezonale”.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka vlerësuar pozitivisht pakon mbështetëse, mirëpo, sipas tij, pako është zhgënjyese në raport me vendet e rajonit.

“Në Kosovë ka mbizotëruar agjenda politike, kurse në vendet e rajonit janë bërë hapë të avancuar në ndihmë të bizneseve dhe qytetarëve. Mali i Zi me 600 mijë banorë ka pasur më tepër se 1.30 miliardë euro investime. Shqipëria mbi 2 miliardë investime, Maqedonia mbi 3 miliardë, Serbia 4.4 miliardë euro, kurse Kosova me dy pako, deri tani ka shpenzuar vetëm 269 milionë euro”.

https://www.monitor.al/pakoja-per-ringjalljen-ekonomike-ne-kosove-50-milione-euro-do-te-ndahen-per-punesim/

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në prezantimin e Pakos, e cila kap vlerën prej 420 milionë euro, ka thënë se nga buxheti për financimin e kësaj pakoje janë 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro vijnë nga huamarrja.

“Kjo Pako ka potencial të mobilizojë edhe rreth 700 milionë euro të tjera, pra në total 1.1 miliard euro investime dhe shpenzime nga buxheti i shtetit por edhe grante, kapital privat, dhe mobilizim të mjeteve nga sektori financiar”, kishte thënë Murati.

Përveç mbështetjes së punësimit, kjo pako përfshin edhe rimëkëmbjen e ekonomisë dhe prodhimit me vlerë 108 milionë euro, mbështetjen për familjet me vlerë 50 milionë euro, mbështetja për ndërmarrjet publike me vlerë 112 milionë euro, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient me vlerë 100 milionë euro.

Ditë më parë është raportuar se që nga fillimi i pandemisë vendet e punës i kanë humbur rreth 120 mijë punëtorë.