Anëtari i Bordit të Komisionerit në Kryeministri shpërbleu OJQ-në e tij me fonde publike

Anëtari i Bordit të Komisionerit për Gjuhët në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka shpërblyer OJQ-në, të cilën e udhëheq vet me gjithsej 21 mijë e 820 euro.

Kjo OJQ ka përfituar fonde për dy projekte të ndryshme nga dy Zyra në Zyrën e Kryeministrit gjatë vitit 2019, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport kishte financuar projektin me titull “Forcimi i kapacitetit të të rinjëve për të krijuar politika rinore në veri të Kosovës”19, në vlerë prej 14 mijë eurove, kurse Zyra e Komisionerit për Gjuhë kishte financuar po të njëjtën OJQ me projektin “Përmirësimi i përdorimit të gjuhëve zyrtare në punën e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës”20, me një vlerë prej 7 mijë e 800 eurove.

Reklama e sponzorizuar

Auditori në raportin e Auditimit për Transparencën dhe llogaridhënien në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare nga institucionet publike, ka gjetur se kjo OJQ udhëhiqet nga personi i cili në të njëjtën kohë është i emëruar edhe si anëtar i bordit të Komisionerit për Gjuhët në kuadër të ZKM-së.

Ky bord, sipas ZKA-së, udhëheq dhe është përgjegjës për hartimin, zhvillimin, zbatimin dhe fuqizimin e politikave për gjuhët të cilët shqyrtojnë dhe vlerësojnë në baza vjetore punën e zyrës në kuadër të ZKM-së.

Mirëpo, edhe pse udhëheqësi i kësaj OJQ-je paraqet konflikt të mundshëm të interesit mes Institucionit Publik dhe OJQ-së përfituese, një gjë e tillë nuk është paraqitur fare nga komisioni vlerësues dhe Zyra e Komisionerit për Gjuhët.

Udhëheqësi i kësaj Zyre kishte pohuar para ZKA-së se ishte i njoftuar për këtë, mirëpo nuk kishte konsideruar se një rrethanë e tillë mund të paraqes konflikt interesi.

As ZKM-ja, sipas Auditorit, nuk kishte bërë përpjekje që të shmangë konfliktin e interesit gjatë procesit të vlerësimit të OJQ-ve.

E nga ZKA-ja thonë se financimi i OJQ-ve të cilat paraqesin konflikt interesi, rrisin rrezikun për devijimin nga objektivat strategjike të institucionit dhe dështimin në arritjen e qëllimeve të synuara. Kjo rrjedhimisht ndikon në shfrytëzimin jo efikas dhe efektiv të parasë publike dhe mundëson ndarjen e fondeve në mënyrë të njëanshme, përfundojnë nga ZKA. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/