Administrata Tatimore e Kosovës paralajmëron inspektimin e aktiviteteve ekonomike që zhvillohen nga ana e tatimpaguesve.
Sipas tyre, ky plan i veprimit përfshin periudhën Korrik – Shtator 2021, periudhë kjo e cila kërkon aktivitete më intensive me qëllim të trajtimit të sektorëve që janë vlerësuar me shkallë të lartë të rrezikshmërisë, e të cilët gjatë kësaj periudhe po ashtu kanë aktivitet më të shtuar ekonomik.
Në njoftimin e tyre në Facebook thuhet se në fokus të aktiviteteve do të jenë ato biznese, për të cilat përmes shumë indikatorëve të riskut dalin në pah deklarimet e tyre jo të sakta.
“Andaj, duke e implementuar planin operativ të veprimit do të bëhet verifikimi – korrigjimi i deklarimeve të tyre kundrejt qarkullimit / fitimit të realizuar. Në mënyrë që ky plan të përfshij të gjitha grupet e synuara, inspektorët tatimor do të zhvillojnë aktivitete brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës, duke përfshirë dhe vikendet” thuhet në njoftimin e ATK-së.
Gjithashtu, aktivitetet e ATK-së me këtë plan do të orientohen në veprimet specifike, si:
- Identifikimi i bizneseve dhe personave fizik të cilët përmes dokumentacionit jo të saktë ju shmangen detyrimeve tatimore.
- Identifikimi dhe fiskalizimi i bizneseve të cilat nuk janë pajisur me arka fiskale si dhe ndërmarrjen e masave ndaj bizneseve të cilat janë pajisur me arka fiskale por nuk lëshojnë kuponë fiskal.
- Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve dhe personave fizik të cilët bëjnë nën deklarim të shitjeve (të ardhurave) si dhe nën deklarim të numrit të punonjësve dhe pagave.
- Identifikimi i mos deklaruesve, ndalim deklaruesve si dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera ligjore me qëllim që tatimpaguesit të bëjnë deklarimet e tyre saktë dhe brenda afateve kohore.
“Me zbatimin e standardeve profesionale, synojmë do të arrijmë rezultate dhe efekte si në trajtimin e drejt të të gjithë tatimpaguesve, po ashtu edhe në ngritjen e performancës tonë, si zyrtarë të një administrate profesionale, transparente dhe efektive” përfund komunikata e ATK-së./Buletini Ekonomik/