Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në vlerësimet për situatën epizootiologjike në lidhje me paraqitjen e sëmundjes Gripi i Shpezëve në Kosovë (H5N8), njofton se ka arritur të menaxhoj këtë sëmundje.
Sipas AUV, rasti i fundit pozitiv i diagnostifikuar nga Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë është regjistruar me datën 20 qershor.
“Tani janë plotësuar kushtet veterinare dhe afatet kohore ligjore për të liruar masat kundër sëmundjes. Me datë 07 korrin është mbajtur takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Shportarëve të Kosovës, jemi njoftuar për gjendjen e fermave të krijuar nga izolimi, nevojën e lejimit të lëvizjes së shpezëve nga fermat në tregje për t’u mundësuar ciklin e qarkullimit të ripopullimit të fermave me zogj. Mbi të gjitha pas vlerësimeve profesionale për situatën epizootiologjike, respektimit të afatit kohorë ligjorë nga paraqitja e rastit të fundit, AUV ka vendosur për shfuqizimin e Vendimit për Ndalimin e Lëvizjes së Shpezëve në vend”, njofton AUV, përcjell Telegrafi.
Lëvizja dhe tregtimit i shpezëve duhet të bëhet gjithmonë duke respektuar rregullat për transport dhe shitje të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
“Bazuar në vendimin e AUV-it, nga sot lejohet lëvizja dhe tregtimi i shpezëve në gjithë territorin e Kosovës”, përfundon AUV.