AUV pa dokumentacion burimor për rreth 1 milion euro pasuri kapitale

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nuk ka kurrfarë dokumentacioni mbështetës burimor për gjithsej 993 mijë e 580 euro pasuri kapitale.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) thonë se me rastin e auditimit të këtij institucioni gjatë 2020-s, nuk kanë marrë dëshmi audituese për pasurinë kapitale në vlerë të rreth 1 milionë eurove të regjistruar tek para vitit 2010, si dhe nuk ka pasur mundësi të bëjë ekzaminimin fizik edhe të disa pasurive tjera në vlerë të 18 mijë e 394 eurove.

Për 54 nga 71 mostra të pasurisë, të përzgjedhura për testim nga ZKA-ja, me vlerë të përbashkët prej 993,580€ të cilat janë të paraqitura në regjistrin e pasurisë kapitale, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nuk ka ofruar fare dokumentacion mbështetës për to, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Për 54 nga 71 mostra të pasurisë, të përzgjedhura për testim me vlerë të përbashkët prej 993,580€ të cilat janë të paraqitura në regjistrin e pasurisë kapitale, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nuk ka ofruar dokumentacion mbështetës për to. Këto pasuri ishin të regjistruara në vitet e mëhershme (para vitit 2010)”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Si pasojë e mungesës së dokumenteve burimore të pasurive, gjatë ekzaminimit fizik të tyre, ZKA thotë se edhe për pesë (5) raste tjera me pasuri në vlerë neto kontabël prej 18 mijë e 394 euro, të pasurisë mbi 1,000 euro, zyrtarët e AUV nuk ishin në gjendje të identifikonin parapë fizikisht pasuritë.

Kështu, prej tyre, klima komora me numër të njëjtë serik ishte e regjistruar dy herë në SIMFK me vlerë neto kontabël prej 12 mijë e 825 eurove. E gjithë kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve të dobëta në ruajtjen e dokumentacionit të pasurisë dhe mungesës së barkodeve, konstatojnë nga ZKA-ja.

Ndërkohë, sipas Nenit 2 të rregullores për menaxhimin e pasurisë jo financiare të gjitha organizatat buxhetore janë të obliguara që të marrin masat e nevojshme për dokumentimin, ruajtjen, evidentimin, tjetërsimin dhe raportimin e pasurisë jo financiare me qëllim të menaxhimit më efektiv, efikas dhe ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë jo financiare nga dëmtimi dhe keqpërdorimi.

Por, mungesa e dokumenteve mbështetëse për pasuritë e paraqitura në regjistër rritë rrezikun që pasuria të keqpërdoret, humbet apo të tjetërsohet si dhe vlera e pasurisë së organizatës e paraqitur në pasqyra financiare të mos jetë e saktë.

Prandaj, Auditori rekomandon që Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryeshefi Ekzekutiv i AUV-it duhet të sigurojnë se janë forcuar kontrollet në menaxhimin e pasurisë, në mënyrë që për tërë pasurinë në regjistër të ketë dokumentacion mbështetës. Kurse për t’u bërë më i lehtë identifikimi, të gjitha pasuritë duhet të jenë të pajisura me barkode në bazë të regjistrit të pasurive.

Gjithashtu, përveç këtyre, edhe një pjesë e pasurisë së këtij institucioni, më saktësisht pasuria në vlerë bruto prej 119 mijë eurove nga AUV-i ishte regjistruar gabimisht si pasuri në përdorim, ndonëse është dashur të regjistrohet si investim në vijim.

Ndërkaq, në 35 raste tjera me vlerë prej 254 mijë e 572 eurove, urdhërblerjet nga Auv-i ishin proceduar tek pas pranimit të faturës. Auditori thotë se këto raste kishin ndodhur tek pagesat për shërbime të identifikimit të kafshëve, matrikulimin e gjedheve, analiza laboratorike, pajisje, etj.

E shkaku i dobësive në procedimin e pagesave kishte ndodhur si rezultat i kontrolleve të dobëta në procesin e realizimit të blerjeve, porse procedimi i pagesave si më sipër, paraqet shmangie të procedurave të përcaktuara me rregullat financiare dhe rritë rrezikun që të pranohen mallra apo shërbime jo në pajtim me kushtet e kontraktuara.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila funksionon në kuadër të Kryeministrisë, shquhet edhe për mospagesa të obligimeve brenda afatit ligjor.

Sipas ZKA-së, në 45 mostra të testuara në ZKM dhe AUV me vlerë prej 530 mijë e 422 eurove, është vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Vonesat kryesisht ishin deri në 90 ditë, ndërsa njëra prej tyre në AUV ishte obligim i papaguar që nga viti 2018. Shkaku i dobësive në procedimin e pagesave me vonesë ishin kontrollet e dobëta në menaxhimin të buxhetit, si dhe neglizhenca në likuidimin e faturave me kohë.

Mirëpo, mospagesa e obligimeve brenda afatit ligjor, sipas ZKA-së rritë mundësinë që furnitorët t’i drejtohen përmbaruesve dhe gjykatave, dhe ekzekutimi i detyrimeve përmes këtyre procedurave mund të krijojë shpenzime shtesë për buxhetin e ZKM. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/