Elon Musk tha se njësia Starlink e SpaceX po rritet shumë shpejtë dhe projekton kosto totale të investimeve në biznesin e internetit me satelit, mes 20-30 miliardë dollarë.
Ekzekutivi i Tesla dhe themeluesi i SpaceX, që synon të kolonizojë Marsin, tha se kostot fillestare të investimeve, përpara se Starlink të arrijë fluks të parasë pozitiv të qëndrueshëm, do të jenë 5-10 miliardë dollarë.
“Me pak fjalë janë shumë”- tha Musk në një intervistë gjatë Kongresit Botëror të Telekomunikacionit në Barcelonë, ku takohen gjigantët e industrisë çdo vit. Starlink, një grup satelitësh në orbitë të ulët që ofrojnë lidhshmëri me shpejtësi të lartë për njerëzit në zonat e largëta, ka nisur që tani një shërbim provë dhe thotë se synon për mbulim botëror këtë vit.
Kompania ka mbi 1,500 satelitë dhe po operon në dhjetëra vende, duke shtuar më shumë në çdo muaj, sipas Musk, që projekton që numri total i konsumatorëve do arrijë gjysmë milionë në 12 muajt e ardhshëm, nga 69,000 që janë tani.
Skeptikët kanë vënë në pikëpyetje nëse interneti me satelit mund të zhvillohet si model i qëndrueshëm i biznesit, për shkak se tregu kryesor që shënjestrën janë njerëzit në zona të largëta, që janë shumë pak për të mbështetur kostot gjigante të investimit fillestar.