Dogana e Kosovës paguan mbi 85 mijë euro për punëtorët e supenduar

Dogana e Kosovës gjatë vitit 2020 ka ka shpenzuar nga buxheti i saj gjithsej 85 mijë e 715 euro për kompensim të pagave dhe përfitimeve tjera për punonjësit e suspenduar.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Doganën e Kosovës, thuhet se janë gjetur tri mostra në vlerë 85,715€, nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ku ishin bërë pagesa për kompensim të pagave dhe përfitimeve tjera për këta punonjës.

Sipas tyre, këto pagesa ishin shpenzime nga vendimet e gjykatave dhe pagesat ishin bërë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa për nga natyra këto shpenzime i takojnë kategorisë së pagave dhe mëditjeve.

Reklama e sponzorizuar

“Thesari kishte ndjekur procedurat që kërkohen për këto lloj pagesa, duke pyetur Doganën se nga cila kategori të bënte ekzekutimin e këtyre vendimeve gjyqësore dhe përgjigja ishte që mjetet të merren në kodin në të cilin ishin ekzekutuar këto pagesa” thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori thekson se keq klasifikimi apo pagesa e shpenzimeve nga kategoria ekonomike jo adekuate vështirëson realizimin e buxhetit të Doganës sipas planifikimeve dhe ndikon në mbivlerësimin/nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve duke reflektuar kështu në prezantimin jo të drejtë të Pasqyrave Vjetore Financiare.

Auditori, poashtu, i rekomandon drejtorit të Përgjithshëm të Doganës që të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme që planifikimi dhe realizimi i pagesave të bëhet në kategoritë ekonomike të duhura, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në PFV sipas standardeve të kontabilitetit në përputhje me planin kontabël./Buletini Ekonomik/