Ekonomia amerikane parashikohet të zgjerohet ndjeshëm edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, përpara se të ngadalësohet në vijim.
Prodhimi i Brendshëm Bruto projektohet të zgjerohet me 9.2 për qind në periudhën prill-qershor 2021.
Në një botë para pandemisë COVID-19, kjo do të bënte që rritja vjetore të ishte më e madhja që nga viti 1983. Analistët shprehen se ekonomia më e madhe në botë po shkon gradualisht drejt normalitetit, ndërsa miliona amerikanë janë rikthyer në vendet e tyre të punës. Kjo do të thotë një rikthim gradual drejt mesatares së rritjes prej rreth 2 për qind në vit.
Referuar të dhënave të Rezervës Federal, vlera neto e familjeve amerikane arriti në 136.9 trilionë dollarë në fund të tremujorit të parë, në rritje me 16 për qind krahasuar me nivelet e vitit 2019.
Njëkohësisht, pagesat e borxhit nga familjet krahasuar me të ardhurat personale ranë me 8.2 për qind, duke prekur nivelin më të ulët që nga viti 1980. Por, pjesa më e madhe e kësaj vlere është nxitur nga rritja e aktiveve financiare, të tilla si aksionet.
Në këtë situatë, investitorët janë veçanërisht të shqetësuar për rritjen e inflacionin, që mund të sjellë një goditje për prodhimin dhe kërkesën.
Shumë ekonomistë përfshirë edhe ata të Rezervës Federale pajtohen se inflacioni i lartë është i përkohshëm. Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen paralajmëroi se rritja e çmimeve ka të ngjarë të vazhdojë për disa muaj.