Fiskalizimi i Kosovës në prapakthim

Mehmet Gjata

Pajisja me arka fiskale, edhe kjo detyrë e rëndësishme i ka mbetur për ta realizuar domosdo me prioritet Qeverisë Kurti, e cila siç dihet, ka trashëguar nisma dhe probleme të panumërta zhvillimore dhe financiare. Po qe se neglizhohet edhe më tej fiskalizimi i Kosovës, do të vazhdojë të mbetet me shifra të frikshme informaliteti ekonomik dhe tok me të si gangrenë e pashërueshme edhe evazioni fiskal në ekonominë kosovare.

Mehmet GJATA

Në periudhën e pasluftës, që do të thotë tash e njëzet vjet, asnjëra nga qeveritë e deritashme dhe as insititucionet e tjera që janë kompetente dhe paguhen për përcjelljen e ecurive dhe zhvillimeve ekonomike, praktikisht nuk i kanë finalizuar vizionet, por as vendimet e planifikuara zhvillimore dhe as reformiste, të inicuara për të ndikuar në përshpejtimin e konsolidimit ekonomik të shtetit tonë. Nuk u përmbyllën, dështuan në tërësi, ose së paku nuk u përfunduan sipas planit dhe dinamikës, thuajse asnjë nga reformat ekonomike të nisura me pompozitet për të bërë ndryshimet e nevojshme. Nuk u përfundua sipas parashikimeve sot e kësaj dite as fiskalizimi, përkatësisht pajisja e subjekteve afariste me arka fiskale, i filluar së zbatuari qysh para 10 e më shumë vitesh.

Reklama e sponzorizuar

Më saktësisht, pajisja me arka fiskale e subjekteve afariste kosovare ka filluar që nga 2010-a, ku atëbotë ishte vlerësuar si një prej reformave kryesore ekonomike të Qeverisë së Kosovës. Kjo nismë me të drejtë vlerësohej se ishte shumë e nevojshme, madje konsiderohej si domosdoshmëri për modernizimin e ekonomisë dhe lehtësimin e punës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), por edhe të subjekteve që duhej t’i fusnin në përdorim këto arka si obligim ligjor.

Sipas Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA), zbatimi i suksesshëm i kësaj reforme do të ndikonte dukshëm në uljen e pjesëmarrjes shumë të lartë të sektorit informal dhe evazionit fiskal në ekonomi, ose së paku në përcaktimin e përafërt se çfarë përmase e afarizmit ka mbetur jashtë sektorit formal. Po kështu, sipas INEPRA-s, për shkak se Kosova kishte dhe ende ka një disiplinë të varfër fiskale, reforma me arka fiskale ka qenë më prioritet.

Kontrollet jo efikase nga policia financiare, dhe mekanizmat e dobët të veprimit dhe ekzekutimit të vendimeve, e kanë nxitur në masë të madhe evazionin fiskal dhe rritjen e sektorit informal. Centralizimi dhe modernizimi i një sistemi të mbledhjes së të hyrave buxhetore për shtetin, ishte rrugë e mirë për t’i zvogëluar të dyja. Këtu është arsyeshmëria kyçe e futjes së arkave fiskale dhe rekomandimi i drejtë i FMN-së.

Megjithkëtë, deri tash kanë skaduar të gjitha afatet për pajisje me arka fiskale dhe ATK-ja sot e kësaj dite ka ngecur në gjysmë të rrugës, mbase është kthyer prapa sa i përket fiskalizimit.

Njohësit e rrethanave, në jo pak raste kanë identifikuar shkaqet reale të ngecjes së fiskalizimit në Kosovë, duke pasur parasysh edhe faktin se kjo nismë kishte filluar në kohën kur Kosovën e goditi fuqishëm kriza financiare, që realisht në njëfarë mënyre ka ndikuar  në suksesin e kësaj reforme. Por, duhet saktësuar se në ngecjen e fiskalizimit ndikim parësor, sipas vlerësimeve të kompetentëve dhe vet subjekteve afariste, ka pasur kostoja enorme e pajisjes me arka fiskale dhe pastaj mirëmbajtja e këtyre pajisjeve, po ashtu me çmim enorm të lartë, ndër më të lartit në rajon.

Sipas shumë anketave të bëra nga hulumtues profesionitë dhe amatorë kosovarë, shihet qartë se bizneset vazhdimisht ankohen për koston e lartë për t’u pajisur me arka fiskale e printerë fiskalë. Konkretisht, çmimi i përgjithshëm që do të paguajë një subjekt afarist për fiskalizim, sipas kushteve të parashtruara nga ATK-ja dhe Ministria e Financave, arrin deri afër 900 euro vetëm për pjesën harduerike. Ndërkohë, softueri e ca ‘cikërrima’ të tjera si mirëmbajtja dhe sigurimi i pajisjeve si dhe pajisjet shtesë  (terminali, shfaqja e artikujve, terminali tatimor, letra për shtypje të kuponëve, sirtari, lexuesi i barkodeve, etj), duhet llogaritur si kosto jo e vogël shtesë.

Institucionet kompetente kosovare janë të vërshuara nga ankesat që nuk ‘prajnë’ së ardhuri nga subjektet afariste për çmimet e larta për fiskalizim. Sipas të dhënave, çmimi i pajisjeve dhe mirëmbajtja e tyre janë më të lartat në rajon.

Afaristët tanë paguajnë më shtrenjtë sesa ata në Shqipëri, në Maqedoni e në Serbi për fiskalizim. Dhe këtë fakt, ç’është më e keqja, vendimmarrësit në Kosovë e kanë të ditur, sikundër e kanë fare të qartë pse këto çmime janë më të lartat në rajon, por vazhdojnë të heshtin, të sodisin dhe të lejojnë ngecjen e fiskalizimit të subjekteve afariste madje edhe prapakthimin e këtij procesi. Por, edhe në këtë shkrim duhet përkujtuar ata dhe Qeverinë e Shpresës, të ndryshimeve të premtuara edhe në fushën e ekonomisë dhe të financave, se nuk do të ketë fiskalizim të planifikuar derisa të ekzistojnë këto çmime enorme dhe tashmë pas pasojave evidente nga pandemia thuaja të papërballueshme për subjektet tona të lodhura afariste.

Poashtu, duhet përkujtuar se këto çmime do të vazhdojnë të jenë ndër më të lartat në rajon, përderisa do të vazhdohet lejimi i monopolit në shitjen e pajisjeve fiskale te ne. Monopoli në këtë proces është evident, është këtu në Kosovë, qoftë i kamufluar, qoftë sheshazi, i shpërfaqur për ‘lëndinë’.

Pra, tani monopoli ekziston në mënyra e forma të ndryshme, sado që ndër shumë vendimmarrës përmendet parreshtur se tashmë ekzistojnë katër operatorë të furnizimit me pajisje fiskale. Përfaqësues të institucioneve vendimmarrëse nuk rreshtin së propaganduari se tashmë në Kosovë ekzistojnë  opertorët “GEKOS” Sh.p.k., “Dukagjini” Sh.p.k, N.T.SH. ” Enternet “ dhe “Service Global” për derivate.

Mirëpo, asnjëherë nuk thuhet publikisht se këta operatorë në një farë mënyre janë të fuzionuar në dy operatorë, ose afarojnë me marrëveshje saktësisht të zbatuar nga ta sa i përket çmimeve të pajisjeve për fiskalizim. Prandaj nuk ulen çmimet e arkave fiskale dhe të pajisjeve të tjera. Ato vazhdojnë të mbesin të papërballueshme për bizneset kosovare.

Buletini Ekonomik ka gjetur disa biznese që kanë thënë se arkën fiskale e kanë blerë në ‘Dukagjin’, kurse mirëmbajtjen e tyre më pas e kanë kryer në kompaninë tjetër ‘GEKOS’, duke lënë të nënkuptohet se këta dy operatorë kanë lidhur marrëveshje mes veti që njëra palë të merret me shitjen e tyre kurse pala tjetër me mirëmbajtjen e arkave.

E në lidhje me këtë çështje, nga ATK-ja thonë se kanë pasur raste kur operatorët kanë marrëveshje në mes vete që t’i shfrytëzojnë hapësirat apo zyrat e përbashkëta për të kryer shërbime për tatimpagues lidhur me pajisjet elektronike fiskale.

“Po ashtu kemi raste kur një teknik është i autorizuar për dy apo më shumë operator, pra i njëjti teknik i certifikuar dhe autorizuar mund të instalon dhe mirëmban pajisjet fiskale për operatorët nga të cilët është i autorizuar”, saktësojnë nga ATK-ja.

Tashmë, siç po shihet dhe po duket sheshazi, ka ngecur edhe realizimi i planit qeveritar të nisur që para 10 vjetësh që së pari të pajisen detyrimisht me arka fiskale bizneset e mëdha dhe pastaj kur të përmbushet ky vendim, të fillojë fiskalizimi te bisneset e vogla.

Pra, jo vetëm që nuk u erdhi ndonjëherë radha bizneseve të vogla që të pajien me arka fiskale, por ngeci në gjysmë madje edhe fiskalizimi i të mëdhenjve. Dhe, edhe kjo detyrë e rëndësishme i ka mbetur për ta realizuar, domosdo, me prioritet Qeverisë Kurti, e cila siç dihet ka trashëguar nisma dhe probleme të panumërta zhvillimore dhe financiare. Po qe se neglizhohet edhe më tej fiskalizimi i Kosovës, do të vazhdojë të mbetet me shifra të frikshme informaliteti ekonomik dhe tok me të si gangrenë e pashërueshme edhe evazioni fiskal në ekonominë kosovare.

Pra, vënia nën kontroll e tatimpaguesve dhe ulja e shmangies së obligimeve tatimore nga bizneset duhet të jetë prioritet i domosdoshëm i sektorëve përkatës qeveritar. Ndryshe. do të vazhdohet pa ndryshimet e premtuara dhe me lajthitjet e rëndomta të trashëguara tash e një dekadë.