Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), bashkë me Agjencinë e Metrologjisë, këtyre ditëve kanë kryer inspektime të mjeteve matëse (peshoreve), si dhe kanë bërë kontrollimin e dokumentacionit të këtyre operatorëve në qytetin e Gjilanit.
Me këtë rast, gjatë inspektimit, në tri peshore janë hasur parregullsi që nuk kanë qenë në përputhje me Rregulloren për Peshore Jo-Automatike (nuk kanë miratim të tipit).
Këto peshore, sipas njoftimit nga ministria janë larguar nga përdorimi dhe është kërkuar nga subjektet ekonomike për një afat të caktuar të dhënat nga inspektorët e mbikëqyrjes metrologjike, që të njëjtat të zëvendësohen me peshore në përputhje me Rregulloren për Peshore jo-automatike.
Po ashtu janë kryer matje të bukës nëpër furra për ta verifikuar peshën e tyre në bazë të deklaracionit që e kanë prezantuar. Një furrë është gjobitur, bazuar në normativat ligjore, për shkak të mos përputhjes së peshës së bukës me deklaracionin, që e ka prezantuar për blerësit.
Gjatë inspektimit, Inspektorati i Tregut ka shqiptuar edhe dy gjoba tjera për flamujt e origjinës, që nuk kanë qenë të vendosur në produkte.
“Inspektime të tilla janë duke ndodhur në vazhdën e punës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për mbrojtjen e konsumatorit dhe për të krijuar siguri në treg. Mbrojtja e konsumatorit mbetet prioritet i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që qytetarët të sigurohen të marrin aq sa paguajnë”, përfundon komunikata e MINT.