Një aplikacion në bazë të të cilit qytetarët e Kosovës do të kishin mundësi t’i shihnin çmimet e derivateve në baza ditore është duke u kërkuar të bëhet edhe në vendin tonë me qëllim të transparencës së çmimeve dhe lehtësimit të qytetarëve sa i përket anës financiare. Lidhur me këtë çështje, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se është domosdoshme që Kosova ta ketë një aplikacion apo uebfaqe ku qytetarët çdo mëngjes mund të informoheshin se si sillen çmimet e derivateve në Kosovë. Një aplikacion i tillë është kërkuar edhe nga kryetari i OJQ “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Pëllumb Çollaku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se krijimi i oligopolit në tregun e naftës vazhdon të jetë problem për shkak të koncentrimit të konsumatorëve në pika të caktuara derivatesh.
Përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, të konsumatorëve dhe ekspertë të ekonomisë, kanë kërkuar që në Kosovë të krijohet një aplikacion në bazë të të cilit qytetarët e Kosovës çdo ditë mund t’i shihnin dhe t’i krahasonin çmimet e derivateve. Edhe pse në pikat e karburanteve janë të vendosura çmimet e derivateve të naftës, me anë të krijimit të një aplikacioni qytetarët do të mund të informoheshin nga kudo në lidhje me lëvizjet çmimeve. Sipas tyre, një gjë e tillë do të ndikonte në të mirë të konsumatorëve, duke përfshirë anën financiare dhe transparencën e çmimeve.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është domosdoshme që Kosova ta ketë një aplikacion apo uebfaqe ku qytetarët e Kosovës do të mund të informoheshin çdo mëngjes sa janë çmimet e derivateve. “Besoj se është kërkesë reale dhe kjo duhet të bëhet në ditët në vijim. Shpresoj që Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do ta realizojë edhe këtë, ku çdo mëngjes qytetarët do ta dinë përafërsisht se si sillën çmimet e derivateve në Kosovë”, ka thënë Berjani. Sipas tij, edhe pse në tërë Kosovën janë të vendosura çmimoret pranë pikave të karburanteve, një aplikacion i tillë është më se i domosdoshëm. “Do të duhej ta kemi një program special. Në tërë Kosovën janë të montuara në mënyrë automatike çmimoret, që do të thotë se qytetarët mund t’i shohin çmimet qoftë kalimthi apo kur të ndalen. Megjithëkëtë, një program special apo aplikacion siç është në të gjitha vendet e botës është i nevojshëm”, ka deklaruar ai.
Lidhur me këtë çështje gazeta “Epoka e re” i ka dërguar pyetje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, mirëpo deri nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, i cili është ligjërues në Kolegjin “Riinvest”, Pëllumb Çollaku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se krijimi i oligopolit në tregun e naftës vazhdon të jetë problem për shkak të koncentrimit të konsumatorëve në pika të caktuara derivatesh. Sipas tij, krijimi i një aplikacion të tillë apo platforme online nga e cila do të informoheshin qytetarët e Kosovës do t’u ndihmonte të gjithëve. “Krijimi i oligopolit në tregun e naftës dhe të derivateve të saj vazhdon të jetë një problem në këtë sektor shkaku i koncentrimit të tregut te shumë pak kompani që në të kaluarën dhe tani mbajnë hise të madhe në këtë fushëveprim. Edhe po të kishte informacion në kohë reale mbi çmime në tërë territorin e Kosovës, në çdo komunë, ajo do të ndryshonte fare pak mes tyre si rezultat i një ujdie paraprake të një karteli të tillë për çmime. Në këtë rast, një platforme online e cila do të ofronte informacion mbi çmimet në rajon dhe jo vetëm në Kosovë do të na ndihmonte më shumë të gjithëve për të kuptuar situatën e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj, nga të cilat mund të analizohej më lehtë pozita e konsumatorit dhe tregu përkatës në përgjithësi”, ka thënë Çollaku. Sipas tij, një platformë e tillë do të ishte në shërbim të qytetarëve dhe të mekanizmave mbikëqyrës të derivateve të naftës në Kosovë. “Të dhënat nga platforma të tilla do të ishin shumë të mirëseardhura sepse do të informonin dhe ndihmonin jo vetëm konsumatorin, por edhe vendimmarrjen e nevojshme politike për të përmirësuar këto dështime të organizimit të tregut”, ka thënë Çollaku, duke shtuar se krijimi i kushteve për një konkurrencë të shëndoshë në të gjithë sektorët e ekonomisë është qenësore. “Normalisht është shtylla bazë e operimit ne politika ekonomike të një qeverie”, ka deklaruar ai.
Edhe Selatin Kaçaniku nga OJQ “Konsumatori” ka thënë se një aplikacion i tillë do të ishte në leverdi të konsumatorëve dhe do t’u ndihmonte atyre si në aspektin financiar, edhe në atë të cilësisë. “Informimi transparent për çmimet do të ishte një ndër faktorët që do të ndikonte në kënaqshmërinë e qytetarëve, pasi qytetari do të kishte të drejtë të ketë njohuri si për çmimin, ashtu edhe për cilësinë. Nuk duhet harruar se qytetarët e Kosovës duhet t’i kenë të drejtat e tyre konform direktivave, ashtu siç është e paraparë edhe me direktiva të Bashkimit Evropian (BE)”, ka deklaruar Kaçaniku për gazetën “Epoka e re”.