Maqedonia bëhet korridor për furnizim me gaz natyror për Kosovën dhe rajonin

Maqedonia e Veriut dhe Greqia të premten nënshkruan në Athinë marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit mes dy shteteve.

Me realizimin e projektit, Maqedonia e Veriut bëhet korridor energjetik për shtetet tjera si Kosovën, Serbinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perendimor, të cilat do të mund të furnizohen me gaz natyror.

Reklama e sponzorizuar

Marrëveshja ofron mundësi për më shumë burime të gazit, pra rajoni nuk do të varet vetëm nga burimet ruse të gazit natyror.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Kostas Skrekas dhe ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për ekonominë në tërësi dhe për konkurrencën e kompanive tona ndërsa gazi natyror do të vazhdojë edhe në tregjet në Kosovë dhe Serbi”, ka deklaruar ministri Bekteshi.

“Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të mundësojë hapjen e 1,000 vendeve të punës gjatë ndërtimit. Projekti do të bashkojë sistemet e gazit natyror të të dyja vendeve, dhe natyrisht, pasi të fillojë të funksionojë, ky tubacion do të ndihmojë shumë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive tona”, ka deklaruar ministri grek i Mjedisit dhe Energjetikës, Kostas Skrekas.

Projekti për ndërtimin e gazsjellësit kushton rreth 110 milionë euro, nga të cilat 54 milionë euro janë siguruar nga Maqedonia e Veriut.

“Ky projekt hap një mundësi të madhe, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më në fund do të sjellë më shumë burime të gazit natyror”, ka deklaruar kryeministri maqedonas Zoran Zaev në fjalimin e tij në Athinë, në një konferencë ndërkombëtare në sferën e ekonomisë.

Shkupi dhe Athina për gati 30 vjet kanë qenë në kontest për çështjen e emrit, që u zgjidh në vitin 2018 më ndërrimin e emrit Maqedoni, në Maqedoni të Veriut.

Zgjidhja e këtij kontesti i hapi rrugën vendosjes së bashkëpunimit dhe arritjes së marrëveshjeve në sfera të ndryshme, përfshirë edhe këtë për sistemin energjetik dhe gazin natyror. /REL/