Ministria e Arsimit shpërbleu me nga 700 euro shtesë anëtarët e komisioneve

Gjatë vitit 2020, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shpërblyer një pjesë të stafit të saj me kompensime shtesë në vlerë të 5 mijë e 617 eurove, vetëm për të marrë pjesë në komisione.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se 8 anëtarë të komisioneve të ndryshme në këtë ministri, ishin kompensuar me pagesë shtesë përpos pagës bazë, me nga 700 euro plus, për t’u angazhuar në komisione, ndonëse takimet ishin mbajtur gjatë orarit të punës.

Si rrjedhojë, në këtë ministri nuk kanë pasur kurrfarë dëshmie që anëtarët e këtyre komisioneve kishin punuar jashtë orarit të rregullt të punës, prandaj sipas Auditorit nuk do të duhej që të merrnin kompensime shtesë.

Reklama e sponzorizuar

“Vlera e kompensimeve për anëtarët e komisioneve për vitin 2020 ishte 5,617€”, thuhet në raportin e ZKA-së për MASHTI-n.

Kjo kishte ndodhur për shkak se kërkesat për kompensime ishin thirrur në punë shtesë, ndërsa nuk ishin marrë parasysh fare ndalesat ligjore për këto lloje të kompensimeve, vlerëson Auditori i Përgjithshëm.

Këto komisione ishin emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm dhe vet ministri i kësaj ministrie më 2020, Ramë Likaj.

Ndërkohë, sipas neni 80 të Ligjit për menaxhimin e financave publike, nuk lejohet kompensimi shtesë nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizate buxhetore, sipas një akti të Qeverisë, kërkohet që të shërbejë në një komision, bord ose organ apo autoritet tjetër publik, pasi që shërbimi i tillë konsiderohet pjesë e detyrave të obligueshme të postit të cilin e mban punonjësi.

Pra, pagesat e tilla të realizuara ndaj punonjësve nuk janë të mbështetura me bazë ligjore, dhe si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë për vlerën e shpenzuar, thonë nga ZKA.

Rekomandohet që ministri të sigurohet se nuk do të paguhen më kompensimet për stafin e brendshëm të angazhuar në grupe punuese dhe komisione, përderisa angazhimet kryhen brenda orarit të rregullt të punës. /Buletini Ekonomik/