Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në Kosovë gjatë vitit 2020 ka dështuar në organizimin e saktë të detyrimeve kontigjente, duke ia rritur vlerën një padie për 1 mijë herë.
Padia e cila ishte bërë në vlerë të 100 eurove, në listën e detyrimeve kontigjente dhe Pasqyrën Financiare Vjetore (PFV) të kësaj ministrie ishte raportuar në vlerë të 100 mijë eurove, shumë kjo për 1 mijë herë më e lartë sesa padia reale.
Përveç kësaj, e njëjta ministri kishte regjistruar edhe një padi tjetër në vlerë të 37 mijë e 967 eurove në listën e detyrimeve dhe PFV, por jo me shumën reale. Kështu, shuma e raportuar për këtë padi kishte arritur në 379 mijë e 678 euro.
Këto gjetje i ka paraqitur Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2020. ZKA –ja me këtë rast ngre dyshime për paraqitjen e të dhënave jo të sakta nga këto kategori dhe shumëfishimin e vlerës së detyrimeve kontigjente për dy padi brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Auditorit, paraqitja e detyrimeve kontingjente në vlera jo të sakta ka rrjedhur si rezultat i mungesës së vëmendjes nga zyrtarët të cilët mbajnë evidencat lidhur me detyrimet kontingjente si dhe nga pa mjaftueshmëria e kontrollit të brendshëm gjatë procedimit të lëndëve për raportim të detyrimeve kontingjente në PFV.
Ndërkohë, neni 6 i Rregullores së Ministrisë së Financave për Raportim Vjetor Financiar nga Organizatat Buxhetore parasheh se: “Organizatat buxhetore mbajnë regjistra kontabël të saktë, të plotë, të azhurnuar dhe në harmoni me legjislacionin në fuqi, për të gjitha informatat financiare dhe informatat tjera jo financiare
E prezantimi i detyrimeve kontingjente në vlera jo të sakta ndikon që palët e interesit apo shfrytëzuesit e PFV-ve të mos informohen drejtë dhe saktë lidhur me vlerën detyrimeve kontingjente.
Ndryshe, detyrimet kontingjente në këtë ministri në vlerë të 6 milionë e 918 mijë 708 euro, të prezantuara në nenin 18 në Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020, nuk ishin të sakta për shkak se vlera financiare prej 789 mijë e 179 eurove, e shpalosur si detyrim kontingjent, nuk ishte e mbështetur me dëshmi fare, thonë nga ZKA.
“Një padi e cila ishte bërë në vlerë 100€, në listën e detyrimeve kontingjente dhe PFV ishte raportuar në vlerë 100,000€ dhe në rastin tjetër padia në vlerë 37,967€, në listën e detyrimeve kontingjente dhe PFV ishte raportuar në vlerë 379,678€”, thuhet në raport.
ZKA-ja rekomandon që ministri në bashkëpunim me drejtorin e Policisë së Kosovës duhet të sigurojë që detyrimet kontingjente të prezantohen në shuma të sakta si dhe të mbajë evidenca të plota lidhur me çështjet që janë në procedurë gjyqësore. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/