Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka sqaruar edhe njëherë vendimin për lejimin e importit të bllokave nga Serbia.
Hajdari përmes një njoftimi në facebook ka bërë të ditur se duke u bazuar në kërkesën e prodhuesve të materialit ndërtimor me bazë argjilore në Kosovë, Departamenti i Tregtisë brenda MTI-së bashkë me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta kishte vendosur masën mbrojtëse antidamping prej 0, 02 euro për bllokat standard 19x19x25 të importuar nga Serbia. Kjo sipas saj kishte rrjedhur si rezultat i shitjes së produktit në tregun e Kosovës nën vlerën normale të çmimit të tregut, dhe se importi i produktit në fjalë dëmtonte prodhuesit vendor në Kosovë.
Minstja Hajdari shpjegon tutje se pasi që ky vendim i marrë më datë 07.07.2016 nuk e specifikonte afatin prej 5 vitesh ashtu siç parashihet me ligj, ditëve të fundit Departamenti i Tregtisë bashkë me Komisionin për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe, ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19x19x25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohet.
Sipas nenit 46, paragrafi 2, siç citon ministrja, përcaktohet se “Çdo detyrim përfundimtar antidamping apo kundërbalancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij” si dhe nenit 47 paragrafit 7 “Masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet.”
Prandaj duke marrë parasysh këto, Hajdari thotë se kanë shfuqizuar vendimin, sepse më datë 07.07.2021 sipas afateve ligjore janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase.
“Megjithatë, vlen të theksohet se aktualisht Departamenti i Tregtisë është duke përcjellë për së afërmi sektorin e prodhimit të materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe është duke analizuar importin dhe çmimet e shitjes së produktit në fjalë nga Serbia dhe së shpejti do të dal me analiza konkrete”, thuhet në njoftim.
Tutje, nëse konstatohet se një import i tillë vazhdon së atakuari përsëri prodhuesit vendor me shitjen e produktit nën vlerën normale, atëherë Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka paralajmëruar se do të marrë vendim menjëherë për hapjen e një hetimi zyrtar ashtu siç parashihet me nenin 29 të këtij ligji dhe nëse analizat përfundimtare konstatojnë se po vazhdon çmimi damping në tregun e Kosovës, ministria do të vendosë përsëri masën mbrojtëse antidamping për bllokat 19x19x25 nga Serbia. /Buletini Ekonomik/