Anëtarët e Komisionit për Ekonomi gjatë ditës së sotme me shumicë votash kanë votuar propozimin e Qeverisë me emrat për kandidatë për kryesues dhe anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kandidat për kryesues të Bordit të ZRRE-së, përveç Vehbi Sofiut është propozuar edhe Imer Fejzullahu.
Ndërkohë, për anëtar të Bordit janë propozuar kandidatët Astrit Saraqini, Gani Buçaj, Arjeta Pajaziti-Qerimi dhe Lutfije Dervishi.
Mirëpo, opozita gjatë mbledhjes kritikoi vazhdimisht përzgjedhjen e anëtarëve.
Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se ka shkelje dhe veprime politike për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve për këtë Bord.
“Shkeljet janë tipike politike që edhe në këtë sektor të energjisë ka ndërhyrje në pushteti që udhëhiqet nga VV”, theksoi Shala.
Po kështu kritika pati edhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj i cili theksoi se propozimi i qeverisë është puro politik, të cilin e quajti skandal.
Ndërsa, anëtarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila mbështeti propozim vendimin e Qeverisë, duke thënë se i kanë eliminuar emrat që kanë qenë politik.