Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpenzuar gjithsej 100 mijë e 583 euro gjatë vitit 2020 për t’i paguar 20 punonjës të komunitetit serb, të ish-Ministrisë së Administratës Publike (MAP), pa dalë fare në punë asnjë ditë.
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka gjetur se 20 zyrtarët e kësaj ministrie, në vitin 2020 nuk ishin paraqitur fare në vendin e punës, edhe pse ministria kishte bërë pagesën e pagave të tyre në vlerë të 100 mijë e 583 eurove, përcjell Buletini Ekonomik.
Shkaku i mos paraqitjes në punë të këtyre zyrtarëve thuhet se ishte mos krijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë shkakton dëmtim të buxhetit dhe njëkohësisht ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje.
ZKA-ja rekomandon që ministri duhet gjithsesi të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, kompensimin e tyre me pagë vetëm pas paraqitjes së rregullt në punë duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet nënligjore.
Ndryshe, me vendimin që Qeveria e Kosovës kishte aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, janë obliguar të gjitha ministritë dhe agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore. Sipas vendimit të njëjtë edhe MAP kishte qenë e obliguar t’i sistemojë brenda organeve të saj 20 punëtorë të komunitetit serb.
Përveç kësaj, në Institucionin e Policisë së Kosovës, të cilin e ka nën mbikëqyrje MPB-ja, po ushtrohen pozitat e punës në mospërputhje me gradat e fituara.
Kështu, një numër i madh i stafit policor ende është sistemuar në pozita të punës pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë sipas strukturës organizative.
Sipas të dhënave nga njësia e personelit dhënë për ZKA-në, 168 zyrtarë policor vazhdojnë të mbeten të sistemuar në pozita ku kërkohet gradë më e lartë se sa grada që aktualisht e kishin arritur të punësuarit përmes procesit të rregullt të gradimit.
Auditori i Përgjithshëm thekson se Policia e Kosovës kishte kryer disa procese të gradimit për reduktim të numrit të të punësuarve që ushtrojnë pozita me grada më të larta por deri më tani këto procese kanë rezultuar si të pamjaftueshme për respektimin e plotë të kritereve të sistematizimit në vendet e punës sipas gradës përkatëse. Pra, në raport me vitin paraprak numri i zyrtarëve policor të punësuar në mospërputhje me gradat e tyre ishte zvogëluar nga 198 në vetëm 168. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/