Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), gjatë vitit 2020 ka shpenzuar 5 mijë e 612 euro nga buxheti për bileta udhëtimi ndaj personave që nuk janë fare staf në këtë ministri.
Saktësisht pagesat ishin bërë për një person në destinacionin Abudabi-Cyrih në vlerë 4 mijë e 715 euro dhe për tre personave të tjerë në destinacionin Cyrih-Prishtinë në vlerë totale prej 897 euro.
Sipas raportit të Auditorit të Përgjithshëm, këto pagesa ishin bërë nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve me aprovimin e sekretarit të përgjithshëm.
Edhe pse personat përfitues kishin deklaruar që pas arritjes në Kosovë do t’i kompensojnë mjetet financiare në institucionin paraprak, ato nuk janë kthyer akoma, ndonëse sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, kjo nuk është bërë për shkak të mbylljes totale nga Covid 19 dhe se qytetarëve ju ka humbur e drejta e udhëtimit me biletat që i kanë poseduar.
E mos kthimi i mjeteve nga palët e treta sipas kërkesës së Ministrisë krijon shpenzime të pa rregullta dhe paraqet keqpërdorim të parasë publike. Auditori rekomandon që ministrja duhet të ndërmerr masa që në rastet e pagesave për persona tjerë që nuk janë pjesë e MPJD-së, të sigurohet se këto mjete do të kthehen në llogarinë e ministrisë sipas zotimit të përfituesit, në periudhën e caktuar nga ministria.
Ndryshe sipas urrdhëresës për racionalizimin e shpenzimeve në Misionet Diplomatike dhe Konsullore MPJ-ZSP/100-15 pika 3.7 Misioneve Diplomatike dhe Posteve Konsullore nuk ju lejohen shpenzimet buxhetore për mbështetje financiare për institucione apo individ të tjerë.