MZHR, projektin mbi 33 mijë euro të planifikuar për 6 muaj e shtyn për dy vjet

Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), projektin e mbi 33 mijë eurove, për përpunimin e derivateve djegëse detyrohet ta shtyjë për dy vite, ndonëse periudha për zbatimin e një projekti të tillë është vetëm 6 muaj.

Kjo ka ndodhur si pasojë e taksës prej 100% të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina, me ç’rast kompania përfituese nuk kishte arritur t’i sjellë pajisjet e kërkuara me kohë.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditmit, vlera totale e gjithë këtij projekti ishte 33 mijë e 200 euro, prej të cilave 20 mijë euro ishin financuar nga vet MZHR-ja dhe 13 mijë e 200 euro tjera nga përfituesi.

Reklama e sponzorizuar

“MZHR me datë 21.06.2018, kishte lidhur kontratë me një përfitues, lidhur me financimin e projektit në fushën e përpunimit të derivateve për djegie.Pagesën e këstit të parë (avancit) MZHR e kishte bërë me 15.08.2018 në vlerë prej 10,000€, ndërsa pagesën e këstit të dytë e ka bërë me 15.09.2020. Pra, zbatimi i projektit ka zgjatur rreth dy (2) vite” thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori thekson se mos kryerja e projekteve me kohë nga bizneset, ndikon në realizimin jo efikas të buxhetit dhe realizimin e planeve të Ministrisë për subvencionim, ndërkohë që zvarritja e projekteve e zvogëlon ndikimin e synuar të subvencionit.

Auditori poashtu rekomandon që Ministri, përmes mekanizmave të brendshëm duhet të sigurojë që realizimi i projekteve të subvencionuara të bëhet në pajtim me marrëveshjet e arritura me përfituesit me rastin e aprovimit të subvencionit, dhe sipas kushteve dhe kritereve të përkrahjes së bizneseve/ ndërmarrësve të rinj të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ përkatës.

Ndërkohë sipas udhëzimit administrativ të kësaj ministrie për kushtet dhe kriteret e përkrahjes së bizneseve ose ndërmarrësve të rinj nga programi për zhvillim rajonal të balancuar, parashihet që afati i zbatimit të projekteve është deri në 6 muaj, nga dita e nënshkrimit të kontratës me MZHR-në, por kjo e fundit lejohet që të zgjasë afatin e zbatimit të projektit me më së shumti 30 ditë nëse në pyetje është sjellja e ndonjë makinerie specifike prej ndonjë vendi tjetër, por jo edhe 2 vjet të zgjasë një projekt 6 mujor./Buletini Ekonomik/