OAK kërkon edhe njëherë nga operatorët e internetit që të mos përdorin IP adresat e Serbisë

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka ngritur tashmë për të disatën herë, problemin e provajderëve me përdorimin e IP adresave të shtetit serb, duke bërë kështu që me këtë veprim të dëmtohen qytetarët dhe bizneset.

Nga OAK-u kanë thënë se përgjatë vizitave në terren dhe takimeve të vazhdueshme të cilat OAK organizon me bizneset bënë të ditur se shqetësimi i qytetarëve dhe bizneseve për mosrregullimin e IP adresave, mbetet edhe më tutje aktual.

Sipas OAK-ut, si rezultat i mosrregullimit të IP adresave në websitet shqiptare në Kosovë na dalin reklamat në gjuhën serbe në vend të reklamave në gjuhën shqipe dhe po janë reklama të ndryshme jo të hijeshme dhe një gjë e tillë po ndikon në uljen e të hyrave të bizneseve dhe të hyrave edhe në shtet.

Reklama e sponzorizuar

OAK- tregon tutje se kanë lobuar me herët tek institucionet vendore që të bëhet ky ndryshim i IP adresave nga Serbia apo Mali i Zi në ato të Shqipërisë, gjë e cila falë bashkëpunimit të ndërsjelltë është arritur. Megjithatë kohët e fundit është vërejtur që operatorët kanë kthyer përsëri IP adresat e mëparshme.

“Duke pasur parasysh që ne si Odë jemi duke pranuar vazhdimisht ankesa nga qytetarët dhe nga biznesi i mediave, tek të cilat në fund të faqeve po shfaqen reklama në gjuhen serbe, ku me këtë rast në vend që të ofrohen reklama dhe oferta në gjuhën shqipe, qytetarëve dhe bizneseve po i ofrohen ato nga një shtet i huaj, që është kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të OAK-ut.

Prandaj, Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vendos rregulla për përdorimin e IP adresave nga operatorët kabllorë duke përdorë IP të Shqipërisë deri në marrjen e IP-ve zyrtare të Kosovës.

“OAK gjithashtu kërkon nga Provajderët e Internetit në Kosovë që mos të përdorin IP të Serbisë sepse po dëmtojnë bizneset që po reklamojnë përmes internetit (ëebfaqeve dhe rrjeteve sociale, …)Urojmë që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe e njëjta të zgjidhet sa më parë!”, përfundon njoftimi.