Pas reagimeve të shumta, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të pezullojë vendimin për tiketën prej 5 eurove për regjistrim të automjeteve.
Këtë vendim e ka marrë dhe bërë të ditur zëvendësministri Hysen Durmishi i cili sipas Emir Abrashit nga Demokracia Plus i ka tejkaluar kompetencat e tij.
Abrashi ka thënë se zëvendësministri nuk ka kompetencë të marrë vendime pa autorizimin e ministrit.
“Me rregulloren për fushat e përgjegjësisë së Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, tek roli i zëvendësministrave nuk parashihet kompetencë për marrje të vendimeve vetëm në rastin kur e njëjta bëhet me autorizim të ministrit”, tha Abrashi për RTV 21.
Tutje, ai shtoi se, “Pika 4 e Nenit 10, parasheh që zëvendësministri i raporton ministrit në baza të rregullta, ndërsa kryeministrit çdo gjashtë muaj, dhe pika 5.2 e të njëjtit Nen, thotë se zëvendësministri me autorizim të ministrit mund të ushtrojë kompetenca që me ligj i janë dhënë ministri”, tha Abrashi.
Abrashi tha në fund se “Me marrjen e këtij vendimi kemi tejkalim të kompetencave të zëvendësministrit”, tha ai.
Derisa disa nga qytetarët e Prishtinës, janë pajtuar që të ketë një tarifë të tillë për tu identifikuar veturat e regjistruara, disa të tjerë kanë thënë se ky vendim duhet të shqyrtohet.
Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të pezulloj vendimin për tiketën prej 5 eurove për regjistrim të automjeteve.
Lajmin e ka bërë të ditur, zv.ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Sot kam marrë vendim që të pezulloj marrëveshjen për tiketa ngjitëse deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën”, ka shkruar Durmishi.
Ai ka theksuar se “unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”.
Për vendosjen e tiketës ngjitëse ka pasur kundërshtime nga partitë opozitare.