Qeveria shqiptare do të zhvillojë sot një ankand të ri të emetimit të obligacioneve me maturim 10- vjeçar.
Shuma e obligacioneve të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave është 5 miliardë lekë, ndërsa kuponi indikativ (orientues) për investitorët është 5%.
Në ankandin e fundit të obligacioneve me maturim 10-vjeçar, që ishte zhvilluar në muajin janar të këtij viti, kuponi i obligacioneve 5-vjeçare kishte qenë 5.38%.
Kuponi indikativ më i ulët në raport me ankandin e fundit reflekton edhe një tendencë në rënie të mëtejshme të yield-eve të insturmenteve të borxhit të qeverisë në muajt e fundit. Pavarësisht nga kjo tendencë, obligacionet 10- vjeçare janë sot alternativa më e leverdisshme për ata investitorë që synojnë investimet afatgjata, me kthime sa më të larta.
Aktualisht, obligacionet 10-vjeçare janë alternativa më të fitimprurëse mes instrumenteve financiare në tregun vendas, nëse përjashtojmë disa obligacione të kompanive tregtare, të cilat shiten me ofertë private dhe mundësia për të investuar e publikut të gjerë është e kufizuar. Për këtë arsye, edhe interesi për të investuar në këto instrumente zakonisht është i lartë. Në ankandin e fundit të obligacioneve 10-vjeçare, nga 3.5 miliardë lekë që ishte vlera e obligacioneve të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave, kërkesat totale të paraqitura në ankand kaluan vlerën e 6.5 miliardë lekëve.
Në rastin e obligacioneve, çdo individ mund të marrë pjesë në ankand, nëpërmjet shoqërive komisionere të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave për ankandet e obligacioneve, shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankandet e obligacioneve në Lekë është 500 mijë lekë. Investitorët për shuma deri në 50 milionë lekë mund të paraqiten me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.
Shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese. Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.
Sipas AMF-së, për vitin e kaluar individët realizuan blerje të obligacioneve në tregun primar për një vlerë prej 6.9 miliardë lekësh ose rreth 56 milionë eurosh. Krahasuar me një vit më parë, këto investime u rritën me 51%. /Monitor.al/