Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.
I njëjti u kritikua nga opozita, derisa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e quajti shumicë parlamentare arrogante edhe në çështje për rëndësinë e vendit.
Por një gjë të tillë e mohoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, cili tha se opozita s’ka qenë bashkëpunuese.
Megjithatë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se pushteti ka bërë “pazar” me rishikimin e buxhetit, pasi i vetmi amendament nga opozita që ka kaluar ka qenë i deputetes, Albena Reshitaj, që ka votuar pro presidentit.
Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së mërkurë do të mbajë seancën e radhës plenare ku pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për rishikimin e Buxhetit.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021”, thuhej në njoftimin e Kuvendit, përcjell Telegrafi.
Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.
Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.
Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.