Rishikimi i buxhetit votohet në Komision, nesër mblidhet Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Kuvendi nesër do të mbajë seancën ku pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për rishikimin e Buxhetit.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin me amendamente të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.

Reklama e sponzorizuar

I njëjti u kritikua nga opozita, derisa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e quajti shumicë parlamentare arrogante edhe në çështje për rëndësinë e vendit.

“Në gjitha rastet edhe kur ka zvogëlim edhe rishikim të buxhetit ka pasur harmoni edhe me opozitën dhe buxheti është i natyrës së veçantë. Shpreh keqardhje për mënyrën se si i keni kaluar amendamentet, dhe se si duhet të përimtohen këto amendamente”.

Eman Rrahmani nga VV-ja tha se i ka ardhur fundi pazareve politike dhe të jetë e qartë që ky është rishikim i buxhetit dhe jo një buxhet i ri.

“Normalisht që refuzohen kërkesat që janë pa bazë, dhe mbesin në letër, ky është thjesht rishikim i buxhetit dhe jo një buxhet i ri. Mendoj që nuk ka kohë me u bë pazare me partitë politike”.

Kurse, Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se është bërë një padrejtësi në këtë Komision lidhur me amendamentet e buxhetit.

“Është bërë e padrejtë për kryetaret e komunave, dhe të jeni më realistë, por sidomos të bashkëpunohet, pasi nuk është në interesin e Aleancës që të dëmtohet buxheti”.“Pse ka kaluar amendamenti i Albena Reshitaj e cila ka dhënë votën e presidentes, dhe aty është pazari dhe jo te ne”, tha Lekaj.

Mërgim Lushtaku nga PDK-ja tha se reagimi i pozitës është shqetësues.

Reagimi i pozitës po më shqetëson, ne kemi shumë tema nga më të ndryshmet si për shtesat nga fëmijët dhe çështje të tjera që nuk i keni mbështetur”.

Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së mërkurë do të mbajë seancën e radhës plenare ku pritet të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për rishikimin e Buxhetit.

“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021”, thuhej në njoftimin e Kuvendit.

Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.