Ndryshimet e fundit të buxhetit kanë bërë që qeveria të shkelë rregullin fiskal të ligjit organik të buxhetit duke thelluar deficitin e duke rritur më tej nivelin e borxhit publik.
Me ndërhyrjet e reja, borxhi kapërcen 80% të PPB-së këtë vit në rritje në raport me 2020-ën kur arriti në 77.8% , duke dalë edhe kundër rekomandimeve të FMN-së.
Për ekspertin e ekonomisë Dritan Shanon masa të tilla që orientojnë paratë te projektet infrastrukturore në kushte pandemie janë kontradiktore dhe nuk justifikojnë emergjencën.
“Ndryshimi i buxhetit 4 herë brenda 6 muajsh tregon për një problematikë shumë të madhe në aftësitë programuese . Qeveria duhet të ndajë mendjen: A po rimëkëmbet ekonomia në 2021 apo jo? Nëse po, nuk ka asnjë arsye të marrësh një borxh akoma më të madh se në 2020. Nëse ekonomia po rritet marrja borxh në këto përmasa nuk është e justifikuar. Po të marrësh të shikosh kompozimin se ku i çoi paratë ndryshimi i fundit i buxhetit. Janë të gjitha investime afatgjata në ato shpenzime që planifikon të bëje qeveria.
Sipas Shanos, zgjerimi i borxhit në nivele të tilla rrezikon stabilitetin financiar. Megjithatë, përballë Eurobondit, ai propozon marrjen hua në tregun e brendshëm.
“Hapësira jonë fiskale është thuajse inekzistente prej të paktën 2-3 vjetësh. Të dhënat për të ardhurat nuk janë aspak inkurajuese dhe efektet e Covid-19 ende nuk janë shpërfaqur tamam në ekonomi dhe do të shtrihen për një periudhë afatgjatë efekte në konsum dhe mënyrën e jetesës.”
Në raportin e fundit Fondi Monetar Ndërkombëtar apelonte qeverinë për kujdes lidhur me menaxhimin e risqeve fiskale si dhe për investimet publike, për të mbrojtur shpenzimet për kujdesin shëndetësor, e veçanërisht vaksinimin./tch