Si i ka ndryshuar pandemia jetët e prindërve që punojnë

Gratë kanë më shumë për të humbur…

“Në disa ditë, gjërat dalin fare jashtë kontrollit”, psherëtin Katharina Boesche, avokate gjermane e vetëpunësuar dhe nënë e tre fëmijëve, shkruan The Economist. Mbylljet dhe gjysmë mbylljet e shkollave të vajzave të saj për 14 muaj, kanë sjellë dëme.

Ajo zakonisht punon natën vonë ose midis orës 4:00 dhe 8:00 të mëngjesit – kur shtëpia është e qetë. Vajzat e kanë përballuar mirë mësimin online, thotë znj. Boesche, por vajza 7 vjeçe ka nevojë për shumë mbikëqyrje. Shkolla e tyre, si shumica e shkollave në Gjermani, po i mirëpret vetëm me kohë të pjesshme. Zonja Boesche është e stresuar dhe e rraskapitur.

Reklama e sponzorizuar

Që nga fillimi i pandemisë, vendet i kanë mbyllur mesatarisht shkollat për 29 javë, 17 prej tyre me kohë të plotë, sipas UNESCO-s, agjencisë kulturore të OKB-së. Shumica kanë filluar të hapin sërish dyert. Por jeta nuk i është kthyer normalitetit. Në Europë dhe Amerikën e Veriut, vetëm katër në dhjetë fëmijë jetojnë në një vend ku shkollat janë të hapura me kohë të plotë dhe ku mund të jenë të pranishëm fizikisht. Shumica e studentëve po vazhdojnë mësimet virtuale dhe po hasin vështirësi në këtë proces, ashtu si të rriturit që kujdesen për ta.

Viti i kaluar do të ketë pasoja të gjata për disa prindër që punojnë. Do të ndikojë gjithashtu te familjet, punëdhënësit dhe ekonominë. Nga pikëpamja e karrierës, nënat e fëmijëve të vegjël rrezikojnë të mbeten prapa, ose ngaqë e kanë braktisur punën, ose ngaqë pandemia i ka detyruar të tërhiqen profesionalisht. Deri në janar 2021, në Amerikë, 1.5 milionë më pak nëna me fëmijë nën 13 vjeç ishin në punë në krahasim me një vit më parë, një rënie prej 8%. Kjo shifër ishte shumë më e lartë se shifra për gratë në përgjithësi (5.3%), për burrat (5.1%) ose baballarët me fëmijë në moshë të ngjashme (5.6%).

Që nga ajo kohë, disa nëna (dhe shumë baballarë) janë rikthyer në punë, por nënat e fëmijëve të vegjël që nuk kanë një diplomë bachelor, kanë më tepër gjasa se çdo grup tjetër për të humbur punën. Nëse krijohet një “hendek zyre”, me baballarë që rikthehen në zyrë dhe nëna që kryesisht qëndrojnë në shtëpi, pabarazitë e shfaqura gjatë pandemisë do të thellohen.

Sot, shumica e fëmijëve në Amerikë dhe Europë rriten në shtëpi, me dy prindër dhe me dy paga. Rreth një e pesta jeton vetëm një prind. Edhe para pandemisë, familje të tilla shpesh kishin vështirësi në baraspeshimin e punës dhe kujdesit për fëmijët. Qëndrimi i fëmijëve në shkollë ishte ndihmesë e madhe.

Por Covid-19 e hoqi këtë mundësi. Nga prilli i vitit 2020, prindërit në Britani po kujdeseshin për fëmijët mesatarisht 3.5 orë shtesë dhe po ndihmonin me detyrat e shkollës 1.7 orë shtesë në ditë, sipas Institutit për Studime Fiskale, një think-tank në Londër. Para pandemisë, rreth orës 7:00 të darkës në ditët e javës, shtatë në dhjetë prindër kishin kohë të lirë; deri në mars 2021, më pak se tre në dhjetë prindër kishin mundësi të pushonin.

Në Amerikë, nënat latine dhe ato me ngjyrë, të cilat kanë më shumë të ngjarë të jenë beqare ose të kenë një partner që punon jashtë shtëpisë, kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa se nënat e bardha për të marrë përsipër të gjithë barrën e kujdesit për fëmijët dhe punët e shtëpisë, pas ardhjes së pandemisë, shkruan firma këshillimore McKinsey.

Kjo ngarkesë ka ndikuar në shëndetin mendor të prindërve. Shoqata Amerikane e Psikologjisë (APA) zbuloi se gjatë pandemisë, prindërit kishin më shumë gjasa të diagnostikoheshin me një çrregullim të shëndetit mendor, sesa personat që nuk ishin prindër. Para Covid-19, britanikët që jetonin me fëmijë nuk ishin më të rrezikuar nga problemet e shëndetit mendor, thotë Elise Paul nga University College London. Por gjatë pandemisë, ata kanë vuajtur nga nivele më të larta ankthi, vetmie, stresi (përfshirë stres financiar) dhe simptoma depresioni.

Një shkak kryesor i kësaj ishte kujdesi për arsimimin e fëmijëve përmbi barrën e punës. “Më ka ardhur në majë të hundës ‘shkollimi nga shtëpia’, shkruante në shkurt një pjesëmarrëse në Mumsnet, një forum britanik për prindërit. Kompjuteri i saj në shtëpi mund të përdorte aplikacionin Teams, por nuk kishte kamera, ndërsa pajisja e saj iPad kishte kamera, por nuk pranonte Teams; gruaja ishte e detyruar të përdorte laptopin e punës, por as ai nuk mund të ekzekutonte programet e duhura. Dhjetëra prindër të tjerë kishin përvoja të ngjashme. Një nënë tjetër, ulur me fëmijën 10 vjeç në prehër, shprehej: “Më duket se do humbas toruan”.

Me çdo njoftim për mbylljen e shkollave, “barometri i të sharave” në Mumsnet, që mat numrin e postimeve fyese, arrinte majat (shih grafikun 1). Në janar, në kulmin e pandemisë, mbi shtatë në dhjetë prindër në Mumsnet thanë se po dështonin si prindër dhe si punonjës. Nëntë në dhjetë persona arritën në përfundimin se është e pamundur të punosh duke u kujdesur njëkohësisht për fëmijë të vegjël.

 

 

Falë rihapjes së shkollave, ka pasur njëfarë lehtësimi. Në maj, kur fëmijët britanikë filluan të ulen sërish në bankat e shkollës, “barometri i të sharave” u qetësua. Por plagët psikologjike të vitit të kaluar, frika se shkollat mund të mbyllen papritur dhe stresi për sigurinë e punës dhe atë të fëmijëve, do të thotë se për shumë prindër, lufta ende nuk ka mbaruar.

Hayley, një nënë beqare 29-vjeç nga Lincolnshire në Angli, e “humbi toruan” pasi mësuesit qortuan djalin e saj sepse nuk kishte përfunduar detyrat. Ajo ndihet e vetmuar, e zemëruar dhe e shqetësuar dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë për shëndetin mendor nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë, pavarësisht se ka pyetur vazhdimisht. Ajo humbi punën si kameriere në gusht. Djali i vogël shkon në çerdhe me kohë të pjesshme, gjë që e bën edhe më të vështirë kërkimin e një pune.

Në një studim amerikan, prindërit që humbën punën dhe të ardhurat e tyre gjatë pandemisë thanë se ishin shumë më të stresuar dhe të dëshpëruar sesa prindërit që humbën punën, por ende përfitonin para (shpesh falë mbështetjes së qeverisë). Ata gjithashtu thanë se kishin më shumë të ngjarë t’u bërtisnin fëmijëve ose të humbnin durimin. Shqetësimi psikologjik te prindërit mund të ndikojë në sjelljen e fëmijëve, thotë Cathy Creswell, psikologe klinike në Oksford, e cila vuri re rritje të reagimeve si hiperaktiviteti te fëmijët në karantinën e parë.

Nënat kanë vuajtur më së shumti. Ben Etheridge dhe Lisa Spantig nga Universiteti Essex, zbuluan se në muajt e parë të karantinës në Britani, mirëqenia e grave ra dy herë më shumë sesa ajo e burrave. Miqësi të venitura ose të tjera që nuk kanë lulëzuar kurrë, mund të kenë ndikim të madh te nënat e reja në veçanti, parashikon Margaret Kerr nga Universiteti Wisconsin-Madison.

“Nuk e kisha kuptuar sesa e plotësonin jetën time shoqërore ndërveprimet në punë, si ngrënia e drekës ose bisedat për të rritur”, thotë Alissa, një nënë e tre fëmijëve nga shteti i Uashingtonit. Gjatë gjithë pandemisë, ajo ka pasur mbingarkesa emocionale dhe disa herë e ka shfryrë stresin te fëmijët. Ajo thotë: “Po pres me padurim që të filloj të punoj në ambientin e zyrës, në mënyrë që kur të kthehem në shtëpi të mund jem një nënë më e mirë”.

Nënat raportuan përkeqësim më të madh të shëndetit mendor, por sipas sondazhit nga APA, baballarët kishin më tepër gjasa të pinin më shumë alkool, të shtonin peshë ose të flinin keq. Një në dy baballarë me fëmijë të vegjël pinte alkool për të përballuar stresin, më shumë se çdo grup tjetër.

 

Punëtorët e lënduar

Edhe karrierat kanë pësuar dëme. Disa prindërve u është dashur të zgjedhin ose të lënë fëmijët pa mbikëqyrje ose të heqin dorë nga një punë në vijën e parë. Të tjerë morën leje, ose u pushuan nga puna. “Vala e dytë qe shumë e rëndë për prindërit”, thotë Matt Krentz nga firma këshillimore BCG.

Në Amerikë, ndryshe nga recesionet e kaluara, gratë – veçanërisht ato me fëmijë – mbartën peshën më të madhe të humbjeve të punës (shih grafikun 2), pjesërisht për shkak të sektorëve në të cilët punojnë. Fuqia punëtore globale e grave u tkurr me 3.3% në vitin 2020, krahasuar me një rënie prej 1.7% për burrat, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

 

 

Prindërit që punonin nga shtëpia, u përpoqën të bënin shumë detyra, shpesh duke ulur produktivitetin dhe duke dëmtuar shëndetin mendor. Prindërit holandezë raportuan se rreth dy të tretat e kohës që po punonin në shtëpi, po kujdeseshin edhe për fëmijët. Në Britani, nënat kishin dy herë më shumë gjasa se baballarët që të ndërpriteshin nga fëmijët, ndërsa punonin në shtëpi. Në Amerikë, personat që punonin në distancë dhe kishin njëkohësisht detyrën e kujdesit për fëmijët, kishin tre herë më shumë gjasa të refuzonin një detyrë të madhe në punë. Nënat kishin më shumë të ngjarë se baballarët që të shkurtonin orët e punës.

Dëmtimet në karrierë vijnë edhe si rezultat i penalizimeve të padrejta nga punëdhënësit, të cilët mund të mos u kërkojnë qëllimisht punonjësve prindër projekte të mëdha. Por personat me fëmijë kanë qenë gjithashtu më pak të aftë të investojnë në karrierë sesa personat pa fëmijë. Para pandemisë, prindërit britanikë kalonin 12 minuta në ditë duke studiuar, ndërsa tashmë kjo shifër ka rënë në vetëm 1 minutë; për njerëzit pa fëmijë, kjo kohë ra nga 16 në 12 minuta. Duke mos mësuar aftësi të reja, prindërit mund të humbasin ngritjet në detyrë në të ardhmen dhe të përfundojnë me pensione më të vogla.

Akademikët me fëmijë të vegjël kanë shpenzuar më pak kohë duke kryer hulumtime gjatë pandemisë. Ndikimi do të zgjasë me vite. Nëse universitetet nuk rregullojnë politikat e promovimit, personat me përgjegjësi për t’u kujdesur për fëmijët do të kenë më pak gjasa të sigurojnë postin. Kjo prek gratë “shumë më tepër se burrat”, thotë Matthias Doepke, ekonomist në Universitetin Northwestern.

Zoti Krentz shqetësohet për gratë në fushën e menaxhimit. Shumë kanë fëmijë të vegjël. Nëse ato mbeten prapa profesionalisht, grupi tashmë i vogël i shefave femra do të tkurret edhe më shumë. Kjo mund të përmbysë disa nga “përparimet e mëdha” që kanë arritur gratë në vendin e punës.

Gratë me arsim të lartë, të cilat zakonisht janë në gjendje të punojnë nga shtëpia, kanë pasur vështirësi për të ekuilibruar punën dhe kujdesin për fëmijët. Nënat që nuk mund të punojnë në distancë kanë shumë më tepër të ngjarë të braktisin punën fare. Në Amerikë, pabarazia në humbjet e punës midis burrave dhe grave është shkaktuar kryesisht ngaqë shumë më tepër gra e kanë pasur të pamundur të punonin në distancë, sipas një studimi nga profesor Doepke, botuar në prill nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike.

Koreja e Jugut ofron një shembull të zymtë. Shkollat atje u mbyllën vetëm për pesë javë vitin e kaluar, por që nga ajo kohë, personat e moshës 10 deri në 18 vjeç, kanë kaluar disa ditë në javë duke mësuar virtualisht në shtëpi dhe ka pasur mbyllje sporadike të lokaleve. Kim Na-yeon, nënë e dy fëmijëve, thotë se pjesa më e vështirë është pasiguria e vazhdueshme. Gati dy të tretat e prindërve koreanë të anketuar në mars, thanë se kishin vështirësi në kujdesin për fëmijët. Prej tyre, tre të katërtat e grave dhe gati gjysma e burrave kishin menduar të jepnin dorëheqjen. Numri i grave të papuna në Korenë e Jugut, që në vitet e mëparshme ishte në rënie, u rrit me 5% në shkurt 2021.

Edhe para pandemisë, aksesi në kujdesin e përballueshëm për fëmijët ishte një problem për punëdhënësit, sepse punonjësit shpesh mungonin për t’u kujdesur për fëmijët dhe kishte ndryshime të vazhdueshme të stafit që u kushtonte kompanive me miliarda në vit, sipas Fondacionit të Dhomës së Tregtisë të SHBA-së. Por Covid-19 po e përkeqëson edhe më tepër problemin.

Në Amerikë, më shumë se tre të katërtat e punëdhënësve të kujdesit shëndetësor thonë se kujdesi për fëmijët ishte një faktor kryesor i largimit të punonjësve të tyre gjatë pandemisë. Gjysma e prindërve që nuk ishin kthyer në punë deri në nëntor të vitit të kaluar, dhanë si arsye kujdesin ndaj fëmijëve. “Nëse do të isha një punëdhënës, do të gjeja një mënyrë për t’i kthyer njerëzit në punë, pa qenë e nevojshme të punojnë 100 orë në javë”, thotë Emily Oster, ekonomiste në Universitetin Brown.

Shumë punëdhënës e shohin “punën fleksibël” si një përfitim. Por mbështetja për prindërit që punojnë, si leja me pagesë dhe ndihma për kujdesin ndaj fëmijëve, është ende privilegj i rrallë.

Platforma gjermane e modës, Zalando, mburret me nismat e reja për prindërit, duke përfshirë tutorimin online urgjent për fëmijët. Ajo nuk u ofron përfitime të tilla punëtorëve të magazinës. New York Times zbuloi se në Amerikë, 29% e punëtorëve me të ardhura të larta me diplomë pasuniversitare, u ishte ofruar pushim i paguar gjatë karantinës; kjo ofertë iu mundësua vetëm 9% të punonjësve pa një diplomë kolegji. Një në pesë punëtorë me arsim të lartë merrnin pagesa nga punëdhënësit për të paguar për kujdesin për fëmijët; por vetëm një në 20 punëtorë më pak të arsimuar e kishte këtë mundësi.

Më mirë së bashku

Nga ana tjetër, ka pasur edhe anë pozitive. Prindërit dhe fëmijët kanë kaluar më shumë kohë së bashku, kanë ndarë më shumë përqafime dhe kanë luajtur bashkë më shumë, sipas Equitable Growth, një organizatë jofitimprurëse në Uashington, D.C. Në Britani, prindërit e klasës punëtore – të cilët kishin më shumë të ngjarë të humbnin punën ose të zemëroheshin – kaluan pak më shumë kohë duke ndihmuar fëmijët me shkollimin në shtëpi sesa prindërit e klasës së mesme.

Në Amerikë, nënat që humbën punën por vazhduan të merrnin ndihma nga shteti, raportuan marrëdhënie më të mira me fëmijët. Disa familje madje lulëzuan. “Ata janë bërë kaq të pavarur”, thotë Catherine, një nënë amerikane me pesë fëmijë, duke u zotuar se tani e tutje do t’u japë fëmijëve të saj më shumë liri.

Është shumë shpejt për të ditur nëse e gjithë kjo do të shkaktojë një ndryshim në stilin e sjelljes së prindërve. Disa ekspertë shpresojnë se kjo do të zvogëlojë numrin e prindërve “helikopter”. Rraskapitja e dukshme ka ulur pritshmëritë dhe ka relaksuar qëndrimet ndaj kohës në ekran, të paktën përkohësisht.

Ndoshta, pyetja më e madhe është se si do të ndikojë viti i kaluar në mënyrën se si prindërit ndajnë përgjegjësitë. Në fillim të pandemisë, burrat morën më tepër përgjegjësi se më parë. Kur shkollat u mbyllën për herë të parë, baballarët britanikë kishin pothuajse po aq gjasa sa nënat që të përfshiheshin në shkollimin e fëmijëve në shtëpi.

Por nga fundi i janarit 2021, vetëm gjysma e baballarëve po ndihmonin fëmijët e tyre, krahasuar me dy të tretat e nënave. Në mars të vitit 2020, nënat bënin një herë e gjysmë më shumë punë në kujdesin për fëmijët sesa baballarët; dhe deri në shtator, dy herë më shumë. Çiftet duket se po kthehen në një formë të modës së vjetër, me burrat që sjellin proshutën në shtëpi dhe gratë që e skuqin atë – ndërsa janë duke dëgjuar një mbledhje Zoom online, me një foshnjë në krahë.

Nga këndvështrimi i një çifti, një ndarje e tillë e punës mund të jetë e volitshme. Gratë zakonisht fitojnë më pak se partnerët meshkuj, pjesërisht për arsyen se burrat shpesh janë më të mëdhenj në moshë dhe ka të ngjarë të fitojnë më shumë. Pra, humbja e të ardhurave do t’u kushtonte më pak familjeve të tyre. Partneri me të ardhura më të ulëta ka më shumë të ngjarë të braktisë punën kur fëmijët duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Por kjo volitshmëri midis çifteve mund të zgjerojë hendekun gjinor. Disa studiues parashikojnë një “zhvendosje konservatore”, ku shoqëritë që përballen me një kërcënim të madh, si një sulm terrorist apo kolaps ekonomik, kthehen në rolet tradicionale. Anne Boring dhe Gloria Moroni nga Universiteti Science Po dhe Universiteti Erasmus zbuluan se në Francë, qëndrimet ndaj gjinisë pësuan regres gjatë karantinës së parë të vendit, veçanërisht midis prindërve të fëmijëve nën moshën 12 vjeç, burrave dhe familjeve më të varfra.

Burrat u bënë më të predispozuar për të thënë se meshkujt mund të jenë udhëheqës më të mirë politikë. Si burrat dhe gratë me fëmijë të vegjël, u prirën për të besuar se puna e një gruaje është të kujdeset për familjen. Norma të tilla lidhen me nivele më të ulëta të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore. Dhe pasi gratë braktisin fuqinë punëtore, ato rikthehen më ngadalë se burrat.

Një gjë është përmirësuar në mënyrë të padiskutueshme. Për prindërit, punët e të cilëve mund të kryhen kudo me kompjuter dhe internet, puna është bërë pa diskutim më elastike. Ky ka qenë një përfitim për miliona nëna. Nëse të gjithë punonjësit përfitojnë nga këto liri, pandemia mund të shënojë fillimin e një kapitulli më të mirë për prindërit që punojnë (të paktën ata që kryejnë punë mendore). Femrat janë më pak të gatshme të tolerojnë udhëtimet e gjata në punë, kështu që puna në distancë mund t’u hapë një gamë më të gjerë profesionesh.

Të përmbahet entuziazmi

Por punëdhënësit janë më pak të interesuar të diskutojnë për një skenar tjetër. Po nëse videokonferenca përdoret si justifikim për të mos rregulluar kujdesin jo të përshtatshëm të fëmijëve dhe shoqërisë? Po nëse puna në distancë i kthen zyrat në “shpella burrash”, siç shprehet një akademik, pasi nënat ndihen nën presion për të punuar nga shtëpia, sepse munden?

Po nëse “fleksibiliteti” çon në një forcë pune të njëanshme, me disa persona që mund të punojnë kudo dhe kurdo që të jetë e nevojshme dhe të tjerë që nuk munden? “Nëse gratë specializohen në punën nga shtëpia dhe burrat në zyrë, ekziston rreziku që dekada përparimi në uljen e roleve tradicionale gjinore, të kthehen pas”, thotë Claudia Hupkau, një ekonomiste në Universitetin Cunef në Madrid.

Një studim nga Abi Adams-Prassl në Universitetin e Oksfordit zbuloi se ndër britanikët që kërkojnë punë të re, gratë kanë 29% më shumë gjasa për ta bërë këtë, sepse duan të punojnë nga shtëpia. Në Amerikë, sondazhet nga Nick Bloom dhe kolegët e tij në Universitetin Stanford, tregojnë se nënat e fëmijëve që punojnë, duan të kalojnë më shumë kohë duke punuar nga shtëpia pas pandemisë. Baballarët që punojnë duan të shpenzojnë më pak kohë në shtëpi, madje edhe më pak se burrat pa fëmijë. “Ndoshta ata duan të shmangin zhurmën?” sugjeron profesor Bloom (baba i katër fëmijëve).

Në Uashington, fëmijët e Alisës janë përsëri në shkollë. Ata shkojnë katër ditë në javë, nga ora 8:30 deri në 11:25 të mëngjesit dhe pastaj kthehen në shtëpi për të studiuar online. Ajo është mirënjohëse që orari i saj i punës është fleksibël. Alisa po përpiqet të qëndrojë pozitive. “Gjërat po përmirësohen ngadalë, por nuk mendoj se do të kthehen më si më parë.” Kjo mund të jetë ose jo një gjë e mirë në të ardhmen./Monitor.al/