Njëzet punëtorë të komunitetit serb kanë marrë paga për një vit rresht nga buxheti i shtetit, ani pse s’kishin dalë as edhe një ditë në punë. Sipas Auditorit, për pagat e tyre janë shpenzuar mbi 100 mijë euro.
Në Kosovë po del se mund të marrësh pagë edhe pa punuar asnjë ditë. Këtë “mundësi” e kanë shfrytëzuar 20 zyrtarë të komunitetit serb, të cilët është dashur të sistemohen nga ish Minisrtria e Administratës Publike, që tash funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk ishin paraqitur në vendin e punës gjatë vitit të kaluar, por ministria kishte bërë pagesën e pagave të tyre.
Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për Minstrinë e Punëve të Brendshme.
“Zyrtarët e lartcekur, në vitin 2020, nuk ishin paraqitur në vendin e punës, përderisa ministria kishte bërë pagesën e pagave të tyre në vlerë totale 100,583€. Shkaku i mos paraqitjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte mos krijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministries”, thuhet në raport.
ZKA’ja ka dalë në përfundim se pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë shkakton dëmtim të buxhetit dhe njëkohësisht ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje, derisa ka dalë edhe me disa rekomandime për Ministrin.
“Ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, kompensimin e tyre me pagë vetëm pas paraqitjes së rregullt në punë duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet nënligjore”, thuhet në raportin e ZKA’së.