Ministria e Arsimit ka formuar grupin punues për rishikimin e udhëzimit administrativ, i cili do të lirojë nga pagesa studentët e universiteteve publike. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se nga kjo pagesë nuk do të lirohen studentët që përsërisin vitin dhe ata të doktoratës. Arsimi publik falas është njëra ndër pikat e programit të Qeverisë.
Që nga fillimi i vitit të ri akademik 2021/2022, pritet që studentët e universiteteve publike të lirohen nga pagesat.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, bëri të ditur për Radio Kosovën se është formuar grupi punues për rishikimin e udhëzimit administrativ të vitit 2014, që ka të bëjë me pagesat e studentëve, i cili tashmë po punon në draftin e udhëzimit të ri.
Sipas zëvendësministrit Pupovci, tarifat nuk do të hiqen për studentët që e përsërisin vitin dhe për studentët e doktoratës, pasi, siç tha shumica prej tyre janë të punësuar.
Studentja e vitit të dytë në Fakultetin Juridik, Jeta Fazliu, thotë se lirimi nga pagesat është një lehtësim shumë i madh për të, pasi ka edhe shpenzime të tjera.
Ndërsa, Rinor Qehaja, drejtor i Institutit “EdGuard”, tha për Radio Kosovën se lirimi nga pagesa është i mirëpritur, ndërsa theksoi se do të ishte mirë të përfshihen edhe ata të institucioneve private.
“Largimi nga pagesa e semestrit për studentët e universiteteve publike është në linjë me politikat sociale të partisë në pushtet që besoj është e mirëpritur nga cilido student. “EdGuard” avokon që ky lirim të përfshijë të gjithë studentët universitarë të të gjitha institucioneve përfshirë edhe ato private.”
Studentët e nivelit bachellor në universitetet publike paguajnë 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që është falas. Tarifat e tjera në të gjitha universitetet publike në Kosovë përfshijnë pagesën prej 150 eurosh për semestër në nivelin master dhe 500 euro për semestër në nivelin e doktoratës.