Tri Organizata Joqeveritare (OJQ) gjatë vitit 2020 kanë përfituar fonde mijëra euroshe nga Zyra e Kryeministrit pa ofruar dëshmitë rreth kritereve të kërkuara sipas rregulloreve për procedurat e financimit publik.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me rastin e auditimit të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2020, ka gjetur një varg shkeljesh rreth financimeve publike, përcjell Buletini Ekonomik.
Kështu, njëri prej kritereve kryesore për përfitimin e financimit publik për OJQ-të është dokumentacioni përkatës ku përfshihet edhe dëshmia se OJQ-ja aplikuese nuk është në procedurë të shuarjes dhe çregjistrimit.
Kët kriter nuk e kishin plotësuar fare tri OJQ-të përfituese të gjithsej 71 mijë eurove nga Kryeministria.
Ndërkohë, sipas Nenit 20 pika 3.3 i Rregullores MF 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, theksohet se Komisioni Vlerësues kërkon nga aplikuesit e përzgjedhur në listën e rezultateve paraprake dokumentacionin përkatës ku përfshihet edhe dëshmia se OJQ aplikuese nuk është në procedurë të shuarjes dhe çregjistrimit.
“Gjatë vlerësimit të aplikacioneve për projektet e OJQ-ve në tri raste prej 71,000€ përfituesit nuk kishin përmbushur kriterin specifik lidhur me dëshminë se nuk janë në procedurë të shuarjes dhe çregjistrimit”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së.
Gjithashtu, një projekt tjetër i mbështetur po nga Zyra e Kryeministrit gjatë 2020-s, në vlerë të 20 mijë eurove, kishte tejkaluar koston e shumës së lejuar, duke blerë extra llaptop, projektor dhe një makinë industriale në vlerë të 5 mijë e 730 eurove, gjë që sipas marrëveshjes nuk lejohet pasi kjo shumë tejkalon koston e pranueshme të projektit. E kostoja e lejuar e projektit për pajisje të tilla është vetëm 10% e totalit të kostove të pranueshme të projektit.
ZKA-ja ka gjetur se për projektin “Shkolla e vallëzimit latin dhe modern me pjesëmarrjen edhe të medies” në vlerë të 20 mijë eurove, është vërejtur se vlera e kostove të pajisjeve të cilat kanë qenë të përfshira në planin financiar për blerjen e një llap topi, projektori dhe makine industriale prej 5,730€ përbën 28% të buxhetit të tërësishëm të projektit.
Ndërsa, sipas Nenit 2.4.3 të thirrjes publike të datës 10.08.2020, shpenzimet e papranueshme, përfshijnë kostot e blerjes së pajisjeve, mobileve, dhe punëve të vogla ndërtimore në qoftë se kalojnë vlerën prej 10% të totalit të kostove të pranueshme të projektit.
E gjithë kjo kishte ndodhur si pasojë e neglizhencës dhe mungesës së vlerësimit të duhur nga ana e komisionit të vlerësimit, vlerëson Auditori.
Mungesa e dokumenteve të kërkuara pas shpalljes së rezultateve, preliminare, sipas Auditorit të Përgjithshëm rritë rrezikun që të përzgjedhen përfitues të cilët janë në procedurë të shuarjes si dhe zvogëlon mundësinë që të zgjedhen aplikues të tjerë të cilët janë meritor. Kurse tejkalimi i shumës së lejuar të kostove ndikon në menaxhim jo të mirë të buxhetit dhe ndikon në mungesën e fondeve për projekte të tjera.
ZKA rekomandon se Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtori i ZÇK duhet të sigurojnë se gjatë fazës së vlerësimit të aplikacioneve të OJQ-ve të përmbushen të gjitha kriteret për aplikim dhe të bëhet ndarja e saktë e proporcionit në mes të shpenzimeve të lejuara dhe shpenzimeve të papranueshme sipas Udhëzuesit të thirrjes publike. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/