Ujësjellësi “KRU Prishtina” nuk i zbret pagesat e konsumatorëve për faturat e paguara

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “KRU Prishtina” nuk e ka fshirë në sistem borxhin e paguar nga shumë konsumatorë të cilët i kanë kryer këto pagesa ndaj ndërmarrjes.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, bëhet fjalë për gjithësej 672 mijë e 890 euro të regjistruara si “Pagesat e pa identifikuara dhe të jashtëzakonshme”, edhe pse në parim qytetarët i kishin kryer obligimet për ujin e shpenzuar ndaj kësaj ndërmarrjeje.

“Arkëtimet në shumën prej 672,890€, nuk u janë zbritur konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes, por këto mjete ishin regjistruar në zërin kontabël me përshkrimin “Pagesat e pa identifikuara dhe të jashtëzakonshme” thuhet në raportin e ZKA-së për KRU Prishtina për vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur si pasojë e vështirësive në identifikimin e konsumatorëve me rastin e shkarkimit të pagesave nga llogaria bankare.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, ky është një problem i bartur që nga fillimi i vitit 2003, kur ka filluar të mbahet në analitikë gjendja e konsumatorëve.

Pra, pagesat nga llogaria bankare që bëjnë qytetarët ndaj kësaj ndërmarrjeje, mund të përfundojnë si pagesa nga konsumatorë të paidentifikuar, përcjell Buletini Ekonomik.

Auditori i rekomandon Bordit të Drejtorëve që të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet e duhura për të identifikuar këta konsumatorë, mjetet monetare të të cilëve janë grumbulluar në llogarinë “Pagesat e dyshimta dhe të jashtëzakonshme”.

Po ashtu, ky bord duhet të sigurojë që këtyre konsumatorëve u janë zbritur obligimet e papaguara ndaj ndërmarrjes. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/