Home Biznes Xiaomi fiton terren, tejkalon Apple dhe ndjek Samsung

Xiaomi fiton terren, tejkalon Apple dhe ndjek Samsung

Xiaomi, kompania kineze e prodhimit të telefonave inteligjentë ka zënë vendin e lënë bosh nga Huawei, një tjetër kompani kineze duke u renditur e dyta për numrin e shitjeve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Xiaomi aktualisht zë 17 për qind të tregut global të telefonave inteligjentë, duke u renditur pas kompanisë koreane-jugore, Samsung dhe duke lënë pas kompaninë amerikane, Apple. Samsung mbetet në krye të shitjeve në këtë treg me 19 për qind të tij, ndërsa Apple ruan kuotat e zakonshme tashmë prej 14-15 për qind të tregut. Në total, tre kompanitë zënë rreth gjysmën e tregut global të telefonave inteligjentë, ndërsa gjysma tjetër shpërndahet mes dhjetëra kompanive të tjera.

Xiaomi zuri vendin e dytë për herë të parë me 17 për qind të peshës që zë në tregun global të smartphone, një rritje 3 për qind nga tremujori paraardhës. Në total, shitjet e telefonave inteligjentë u rritën në këtë tremujor me 12 për qind. Ajo që ka ndihmuar kompaninë kineze që të rritet me shpejtësi në këtë treg janë çmimet. Xiaomi është përqendruar kryesisht në Kinë, Indi, Amerikën e Jugut dhe Afrikë, ndërsa nuk shet telefonat e saj në SHBA. Çmimi mesatar i shitjes së telefonave Xiaomi është nga 40 deri në 75 për qind më i lirë në krahasim me Samsung dhe Apple përkatësisht.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm në Amerikën e Jugut, kompania raportoi për këtë tremujor rritje me 300 për qind të shitjeve, 150 për qind në Afrikë dhe 50 për qind më shumë në vendet e Bashkimit Europian dhe Britaninë e Madhe. Vitin e fundit, kompania kineze është përqendruar në promovimin dhe shitjen e telefonave me cilësi të lartë. Në muajin prill ajo hodhi në treg një seri të tyre, përfshi këtu edhe telefonin “Mi 11 Pro Ultra”, telefoni më i shtrenjtë i saj që varion nga 1300 deri në 1500 dollarë.

Strategjia e ndjekur nga kompania Xiaomi lidhur me mbajtjen e çmimeve të telefonave të saj thuajse në vlerën e kostos pa ulur parametrat e cilësisë, përbën një nga pikat kyçe të suksesit të saj në treg. Ndërkohë, kompanitë e tjera konkurrente në treg nuk ndjekin këtë strategji të Xiaomi-t.

 

Por, fuqia që po merr dita ditës Xiaomi i tejkalon faktorët e politikës së brendshme të kompanisë. Ndalimi i tregtisë së Huawei-t në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilit i duhet të vazhdojë pa aksesin në shërbimet e Google-it, ka hapur terrenin për ambiciet globale të Xiaomi-t. Teksa Huawei-t i duhet të përballet me vështirësinë e përqasjes në tregun global, Xiaomi shfrytëzon mundësinë për të arritur nivelet e ngjashme të popullaritetit të tij në treg.

Nga ana tjetër, goditja e kompanisë Huawei për të mos lejuar aksesin e saj në rrjetin 5G dhe rrjedhimisht, për të mos “tronditur” pozicionet aktuale të kompanive kryesore, Samsung dhe Apple, bën që ambiciet e Xiaomi-t të rriten dhe të synojnë atë çka Huawei nuk mundi të realizonte.