112 mijë të rinj në Kosovë nuk janë në shkollim, nuk janë të punësuar e as duke ndjekur ndonjë trajnim.
Kjo kategori, sipas raportit të ASK-se mbi fuqinë punëtore 2020, është krejtësisht e shkëputur nga tregu i punës.
“Gjatë vitit 2020 në Kosovë ishin 112 mijë e 936 të rinj (të moshës 15 deri 24) të cilët nuk ndiqnin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnime”, thuhet në raportin e ASK-së.
Nga ky numër kaq i madh i të rinjëve në këtë kategori, 33.2 për qind janë femra ndërkaq 34 për qind e tyre janë meshkuj, të cilët nuk janë të përfshirë fare në sistemin arsimor.
Raporti gjithashtu tregon se përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës.
“Përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale” thuhet tutje në raportin e ASK-së. /Buletini Ekonomik/