Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka paralajmëruar bizneset kosovare që t’i deklarojnë tatimet dhe kontributet pensionale pasi e kanë obligim, ose në të kundërtën ajo do të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.
Aktivitetet e ATK-së, sipas njoftimit të tyre, do të përqendrohen pikërisht te kategoritë, si: Nën-deklaruesit e pagave të punëtorëve, nën-deklaruesit tek bizneset e mesme dhe të mëdha, nën-deklaruesit te bizneset mikro dhe të vogla, me qëllim të identifikimit të atyre bizneseve, të cilat nën deklarojnë të ardhurat e tyre.
Disa nga veprimtaritë në vijim, nuk e zbatojnë këtë obligim, prandaj ATK-ja, iu bënë thirrje që të deklarojnë apo korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor:
- Identifikimi i bizneseve, të cilat nën-deklarojnë pagat e punëtorëve;
- Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nën-deklarim, në veçanti veprimtaritë, si: tregti, shërbime, ndërtimtari dhe prodhim;
- Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht në kuotën fikse prej 37.5€ në çdo 3 muaj;
- Identifikimi dhe trajtimi i bizneseve, të cilat bëjnë nën-deklarim të qarkullimit me qëllim të qëndrimit vazhdimisht nën pragun e TVSH-së, veçanërisht bizneset në veprimtaritë, si: tregti, shërbime profesionale, zbavitëse-artistike, prodhim, transport, etj;
- Identifikimi i bizneseve, të cilat operojnë me humbje, si dhe bizneseve që deklarojnë me zero;
- Identifikimi i bizneseve të cilat ofrojnë furnizime pa të drejtën e kreditimit të TVSH-së, ndërsa në anën tjetër zbresin TVSH-në në blerje;
- Identifikimi i bizneseve të cilat importojnë apo tregtojnë mallra me akcizë, të cilët përmes dokumentacionit jo të saktë, respektivisht nënvlerësimit të çmimeve të shitjes, i’u shmangen detyrimeve tatimore;
- Identifikimi i bizneseve të cilat merren me shitjen e tekstilit dhe veshmbathjeve, të cilat mbajnë dokumentacione jo të sakta me qëllim të shmangies së detyrimeve tatimore, etj;
- Identifikimi dhe trajtimi i personave, të cilët nuk bëjnë deklarimin e të ardhurave të ndryshme që ata mund të kenë qoftë të hyrat nga jashtë vendit, të hyrat nga kapitali apo të hyrat tjera.
“ATK, inkurajon të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’i përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK, do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor”, ythuhet në njoftimin e ATK-së.
Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ATK-ja thotë se ju do të kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare, siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenies shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. /Buletini Ekonomik/