BQK po e shfrytëzon buxhetin pa miratimin e Bordit

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për më shumë se 1 vit ka mbetur pa kuorum, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të këtij institucioni.

Prej pesë anëtarëve sa janë në përbërje të Bordit, tre prej tyre u ka kaluar mandati, që nga viti i kaluar.

Bordi përbëhet nga Guvernatori, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit në përputhje me nenin 79, paragrafi 2 të Ligjit për BQK-në dhe tre (3) anëtarëve joekzekutivë.

Reklama e sponzorizuar

Të gjitha anëtarëve jo-ekzekutivë u ka skaduar mandati vitin e kaluar.

Në bazë të Ligjit për BQK-në, Bordi ka shumë kompetenca, por më e rëndësishmja është miratimi i buxhetit të këtij institucioni.

Buletini Ekonomik ka pyetur në BQK rreth miratimit të buxhetit për këtë vit, meqë këtë mund ta bëjë vetëm Bordi, sipas nenit 35 të Ligjit për BQK-në.

“Bordi i BQK-së miraton buxhetin vjetor të Bankës Qendrore i cili në mënyrë specifike duhet gjithashtu të përfshijë miratimin e një plani të kompensimit vjetor për të gjithë punonjësit”, thuhet në pikën 1.6 të këtij neni.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës për media në BQK, ka përmendur “aktet e brendshme” si bazë për shfrytëzimin e buxhetit pa miratimin paraprak të Bordit, mirëpo nuk ka treguar se për cilat akte konkretisht bëhet fjalë.

“Ju njoftoj se në pamundësi të aprovimit të buxhetit në Bordin e BQK-së, si pasojë e mungesës së kuorumit të këtij Bordi për të marrë vendime, BQK-ja ka shfrytëzuar aktet e brendshme juridike, përmes të cilave BQK mund të shfrytëzojë buxhetin e vitit paraprak duke u mbështetur në parimin 1/12, që do të thotë se për secilin muaj të vitit të ri kalendarik mund të shfrytëzohet buxheti i ndarë për muajin përkatës të vitit paraprak”, ka thënë ai.

Në takimin informues të anëtarëve të mbetur të Bordit të BQK-së, Ahmeti ka thënë se është trajtuar çështja e buxhetit, në të cilin takim është dakorduar që përdorimi i buxhetit të bëhet konform rregullativës në fuqi.

“Kujtojmë se kjo vlen vetëm për qëllime të financimit të shpenzimeve operacionale, ashtu edhe siç është aplikuar nga ana e BQK-së gjatë këtij viti. Rrjedhimisht, përdorimi i buxhetit nga ana e BQK-së është në pajtueshmëri me aktet juridike në fuqi”, ka shtuar ai.

Aktualisht, në Bordin e BQK-së janë tri pozita të lira, për plotësimin e të cilave BQK-ja ka dërguar në Kuvendin e Kosovës listën e kandidatëve për përzgjedhje, të cilët pritet të procedohen tutje për votim nga Kuvendi i Kosovës.  /Buletini Ekonomik/