Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar deputetët që të votojnë për emrat e rinj të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkruan Gazeta Express.
Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Kurti ka kritikuar procesin e privatizimit të aseteve publike pas vitit 2000. Ai tha se AKP-ja paratë e mbledhura nga shitja e aseteve i ka harxhuar në shpenzime operative.
“Privatizimi i egër u bë në një kohë kur Kosova e posa dalur nga lufta dhe nuk e kishte rimëkëmbur ekonominë. Funksionimi i AKP-së ka mbledhur para nga privatizimi i pronave, por merreni me mend i ka mbuluar shpenzimet operative me to. Aty janë pagat më të larta në Kosovë dhe shpenzohen pa masë. Kjo mënyrë e buxhetimit të AKP-së duhet të ndryshohet menjëherë. Kompensimet e larta e të paarsyeshme. Mëditjet nga dy mijë euro e deri në re mijë euro për një mbledhje të mbajtur”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, kryeministri përmendi edhe shitjen e tokave bujqësore, e ku sipas tij oka pasur raste që një ari tokë është shitur për një euro.
Kurti u zotua se gjendja në AKP do të ndryshojë gjatë qeverisjes së tyre .
“Me qeverinë tonë kjo do të ndryshojë sepse jemi ne që jemi zotuar për të sjell investime dhe për të krijuar vende pune. Pasuria që e kemi trashëguar deri më tani në masë të konsiderueshme është plaçkitur, pra atë që e kemi nga brezat pararendës është plaçkitur, e ku në fakt s’do të duhej që të investohej për ta rritur atë për brezat pasardhës”, ka thënë më tutje ai.
Para deputetëve, ai prezantoi edhe emrat e rinj të Bordit të AKP-së dhe u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë atë Bord.
“Nga Bordi i ri presim që pas votimit në Kuvend të marr masa për të ndaluar proceset që tashmë ne si Qeveri i kemi paraprirë duke kërkuar ndaljen e tyre. Para jush prezantojmë Bordin që e kemi vvotuar në Qeveri me këtë përbërje: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.