Ministria e Punës ka shpërndarë pensione për të vdekurit dhe për të punësuarit

Mbi një million euro është dëmi që i është bërë buxhetit të shtetit gjatë vitit 2020 nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale në procesin e ekzekutimit të skemave të ndryshme sociale.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka gjetur se 1 milion e 451 mijë e 310 euro janë shpërndarë pa bazë ligjore, vitin e kaluar.

Sipas ZKA-së, jashtëligjshëm janë paguar 108 mijë e 801 euro për persona që kanë vdekur, 254 mijë e 478 euro për persona të cilët punojnë apo që realizojnë të ardhura personale, dhe 1 milion e 88 mijë euro për persona që përfitojnë nga më shumë se një skemë pensionale e financuar nga Ministria e Punës. Sipas Ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Auditorit, pagesat për përfituesit që janë të punësuar kanë ndodhur për shkak të kontrolleve të brendshme të pamjaftueshme të krijuara nga rrethanat e pandemisë dhe për shkak të korigjimeve të pagave nga bizneset në fund të vitit 2020 për muajt paraprak për të cilat Ministria nuk mund t’i kishte nën kontroll.

Ndërsa, pagesat pas vdekjes së përfituesve edhe pse me tendencë të rënies së gabimit financiar nga viti i kaluar kanë ndodhur ngase lajmërimi i pensionistëve ishte ndërprerë nga muaji mars 2020 dhe vdekjet e përfituesve, për shkak të rrethanave të krijuara të pandemisë Covid 19, nuk ishin regjistruar me kohë në ARC. Për këto raste nuk ishte në dijeni Ministria.

“Përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave janë pagesa të parregullta, dhe si të tilla dëmtojnë buxhetin e Ministrisë”, vlerëson Auditori. /Buletini Ekonomik/