Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbështetur raportimet e fundit se në muajt e fundit është parë një rritje e çmimeve në produkte, e në veçanti për produktet e konsumit në vend.
Hajdari gjatë seancës së sotme të Kuvendit tha se sa i përket produkteve të konsumit, çmimi i tyre diktohet nga BERZA ndërkombëtare dhe çdo lëvizje padyshim se reflektohet edhe në tregun e Kosovës.
Megjithatë, ajo përmendi edhe se ngritja e çmimeve për produktet bujqësore, ushqimore dhe atyre industriale është pasojë e çekuilibrit në tregun global.
“Është evidente se muajt e fundit janë vërejtur raste të rritjes së çmimeve në veçanti për produktet e konsumit dhe kjo është shumë shqetësuese. Mirëpo vlen të theksohet se sa i përket produkteve të konsumit për të cilat çmimi i tyre diktohet nga BERZA ndërkombëtare dhe çdo lëvizje rrjedhimisht reflektohet edhe në tregun e Kosovës. Ne të gjithë e dimë që Kosova ka një varësi jashtëzakonisht të madhe në importe, sidomos në importe të produkteve që janë të rëndësishme në konsumin e ekonomive familjare që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit, për të cilat kemi një deficit tregtar mjaftë të lartë dhe të vazhdueshëm prej 406 milionë euro vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti”, është shprehur ajo sot në Kuvend.