Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një konference për media sot, ka njoftuar se ministria të cilën e udhëheq ajo ka hapur hetime zyrtare për importin e bllokave nga Serbia në Kosovë.
Ministrja Hajdari tha se nga analizat preliminare që ka bërë ministria, vlerësohet se ka elemente që importi i këtyre produkteve nga Serbia po shkakton dëme materiale përmes çmimeve dumping ndaj industrisë së prodhuesve vendorë të materialit ndërtimor nga argjila.
Ministrja shtoi se janë analizuar çmimet e shitjes së bllokave me pakicë dhe janë bërë hetimet preliminare ku Komisioni përkatës ka rekomanduar edhe hapjen e hetimeve.
“Unë me datë 9 gusht si ministre kam marrë vendim për hapjen e hetimit zyrtar për bllokat nga Serbia”, tha Hajdari.
Ajo ka thënë se tashmë kemi tri masa mbrojtëse antidamping kundrejt Serbisë, njëra për miellin e importuar nga Serbia dhe masa tjetër për Bllokat ndërtues.
Hajdari gjithashtu shpjegoi edhe termin damping për bllokat e importuar, që i bie se bllokat e importuar nga Serbia po shiten më lirë në Kosovë se sa në tregun e brendshëm të vendit të prodhimit, pra Serbi, dhe tha se një import i tillë kësisoji rrezikon prodhimin vendor për shkak të çmimeve joreale dhe të dampuara.
“Duke u bazuar në ligjin për Masat Antidamping dhe Masat Kundër balancuese përkatësisht nenit 28 Departamenti i Tregtisë në konsultim me Komisionin e Detyrimeve të Veçanta në Importe rekomandon marrjen e vendimit për hapjen e hetimit zyrtar për importin e bllokave standard me dimensione 19x19x25 nga Serbia me dyshimet se një importi tillë i bllokave te importuar nga Serbia në Kosovë po vazhdon të shitet me çmime më të ulëta se çmimi i tyre në tregun e brendshëm në Serbi dhe rrjedhimisht një import i tillë rrezikon prodhimin vendor për shkak të çmimeve joreale”, thuhet në vendimin e ministrisë.
Këto hetime siç sqaroi ajo janë bërë gjatë vizitave të kompanive që bëjnë shitjen e bllokave të importuara nga Serbia./Buletini Ekonomik/