Pagesat nëpërmjet smartphone-ve, kryeson Kina

Janë më shumë se 500 milionë njerëz në Kinë që bëjnë pagesa, duke përdorur smartphone, qofshin në dyqane, restorante, supermarkete apo duke bërë blerje online, nëpërmjet faqeve e-commerce.

Këto të dhëna u publikuan nga Statista pas një hulumtimi të tregut dixhital, sipas të cilave, në vendin aziatik, depërtimi i kësaj lloj pagese dixhitale ka arritur 39.5% të popullsisë.

Sipas hulumtimit, kjo ecuri është arritur falë disa aktorëve të mëdhenj si Alipay dhe WeChat Pay, të cilët janë adoptuar me shpejtësi nga konsumatorët por edhe tregtarët, qofshin ato dyqane për mallra me pakicë, restorante apo platforma për tregtinë elektronike.

Reklama e sponzorizuar

“Në një vend ku shumë biznese të vogla kryejnë dërgesa në shtëpi për klientët e tyre, shpjegon Statista – përdorimi i kartave të kreditit nuk është miratuar kurrë gjerësisht dhe kjo ka hapur rrugën për kalimin nga pagesa cash tek ajo nëpërmjet aplikacioneve të pagesave dixhitale”.

Por, pavarësisht kësaj përhapje në shkallë të gjerë në Kinë, vlera e transaksioneve vjetore është më e lartë në vende të tjera, me SHBA që kryeson, ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Italia.

Shpenzimet mesatare për mobile payment në Kinë janë rreth 2300 dollarë në vitin 2021, ndërsa në SHBA, më shumë se 8 mijë e në Mbretërinë e Bashkuar, i kalojnë 7 mijë dollarë. Depërtimin më të madh në Europë e kanë vendet skandinave, ndjekur nga Gjermania dhe Italia.

Në lidhje me vendet në zhvillim si India e Vietnami, ata arrijnë të renditen mbi mesataren globale, edhe pse shpenzimet mesatare mbeten jashtëzakonisht të ulëta.