Prodhuesit e perimeve në Kosovë thonë se janë të kënaqur me rendimentet dhe cmimet e grumbullimit këtë vit. Mirëpo ata ankohen për mungesë të fuqisë punëtore si dhe përkrahjen e pamjaftueshme të institucioneve.
Rreth shtatë hektarë me kultura të ndryshme bujqësore, si dredhëza, shalqinj, pjepër, speca, qepë e kultura të tjera, ka të mbjellë në fushat e tij Muharrem Hoti, fermer nga Krusha e Madhe e Rahovecit.
Ai thotë se rendimentet kanë qenë të kënaqshme ashtu si edhe çmimet e grumbullimit. Fermeri Hoti, bashkë me disa punëtorë, aktualisht është duke bërë grumbullimin e specave, gjendja dhe rendimentet e të cilëve thotë se është e kënaqshme.
“Rendimentin e specave sivjet e kemi mesatar, sepse ka qenë thatësi, kanë qenë temperatura të larta, kurse për çmime jemi më mirë sivjet në pikat grumbulluese në fshat, sepse këtu kemi shtatë pika grumbulluese e nuk dalim në treg fare. Jemi të kënaqur më çmime.
Fermeri krushian ankohet se këtë vit akoma nuk kanë marrë subvencionet, për çka u bënë thirrje institucioneve për përkrahje. E përveç kësaj, Muharrem Hoti ankohet edhe për mungesën e fuqisë punëtore.
“Këtë vit problemi më i madh ka qenë mungesa e punëtorëve. Kemi pasur dy hektarë dredhëza por s’kemi mund t’i vjelim të gjitha për shkak të mungesës së punëtorëve. Kemi pasur 20 punëtorë, por më shumë nuk duan të punojnë, ndoshta pse çmimet janë pak të ulëta 15 deri në 20 euro dita, nuk duan të punojnë e të merren me bujqësi. Bujqësia është duke shkuar ka fundi”, shprehet ai.
Ai tha se qeveria mund të kontribuojë në pagesën e punëtorëve, ku fermeri do të paguajë 20 euro e ndërsa shteti 10 euro, në mënyrë që t’i inkurajojnë punëtorët të merren me bujqësi.
Ndërsa Kujtim Hoti, i cili është pronar i një pike grumbulluese e përpunuese i po të njëjtës zonë, pretendon se çdo vit do ta rrisin kapacitetin e grumbullimit dhe përpunimit të perimeve të freskëta.
“ Këtë vit presim të grumbullojmë e përpunojmë 300 tonë produkte bujqësore. Produktet që i grumbullojmë janë: speci kuq, sombork, babure, amanda edhe lakër. Për momentin është duke shkuar mirë, produkte tona janë në tregun e Kosovës në të gjitha marketet.”
Hoti tregon se qe dy vite eksportojnë produkte në Gjermani, ndërsa këtë vit presin të eksportojnë edhe në Zvicër.
Ndërsa për sa i përket çmimeve, ai thotë se detyrohen t’i ngrisin çmimet, në mënyrë që të stabilizohen.