Rizvanolli: Së shpejti do të hapet konkursi për zgjedhjen e Bordit të rregullt të KEK-ut

Gjatë muajve në vijim do të hapet konkursi për zgjedhjen e Bordit të rregullt të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Kështu ka njoftuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë vizitës në këtë ndërmarrje publike.

“Gjatë muajve në vijim do të hapet konkursi për zgjedhjen e Bordit të rregullt të KEK-ut, në të cilin ftojmë të gjithë profesionistët të fushës të aplikojnë. Do të sigurohet proces fer të rekrutimit. Inkurajojmë të gjithë profesionistët, në veçanti gratë të cilat deri më tani kanë qenë nënpërfaqësuara në bordet publike”, tha Rizvanolli, shkruan Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se KEK-u duhet të jetë proaktiv dhe inovativ në prodhimin e energjisë elektrike në vend.

“Jemi të përqendruar në faktin se KEK-u duhet të jetë proaktiv e inovativ në vitet që vijnë në mënyrë që ta bëjmë diversifikimin e prodhimit të energjisë duke integruar edhe energjinë e ripërtrishme, ku KEK-un ne e shohim sërish shtyllë të rëndësishme”, u shpreh Kurti.