Rritet eksporti i Kosovës krahasuar me 2020-n

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2021.

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 39.5% në muajin korrik 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 367.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 263.6 milionë eurosh në vitin 2020. Sipas ASK-së, rritje gjatë korrikut ka pësuar edhe importi, për 40.4% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2021 kishte vlerën 62.3 milionë euro, ndërsa importi 430.0 milionë euro, që është një rritje prej 46.2% për eksport, si dhe 40.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 20.3 milionë euro, ose rreth 32.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia (9.8%), Gjermania (8.0%), Holanda (3.1%). Importet nga vendet e BE-së ishin rreth 194.1 milionë euro, ose 45.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 39.8%.

Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.4%), Italia (6.0%), Greqia (4.9%) dhe Polonia (3.0%). Në muajin korrik 2021, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 26.9 milion euro, ose 43.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 58.1%.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.8%), Maqedonia e Veriut (12.9%), Serbia (6.3%), dhe Mali i Zi (4.7%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2021, arritën në 84.1 milion Euro, ose 19.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 29.4%.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.9%), Shqipëria (5.6%) dhe Maqedonia e Veriut (5.3%).

Eksportet e vendit me vendet e tjera të botës arritën në 14.9 milionë euro, ose 24.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (12.3%), dhe Zvicra (7.2%).