Sa vlejnë sot bankat shqiptare?

Në muajin maj, grupi i fundit grek, Alpha Bank, e nxori në shitje bankën e saj në Shqipëri, duke i dhënë vijimësi procesit të shitblerjeve që kishte frenuar në vitin 2019. A janë bankat sot një investim i mirë dhe sa mund të vlejë sot një bankë që del në shitje?

Në fund të muajit maj, edhe grupi i fundit bankar grek, Alpha Bank, vendosi të nxjerrë në shitje filialin e vet në Shqipëri. Ky lajm ishte relativisht i papritur, pasi mendohej se procesi i shitblerjeve dhe përqendrimit të sektorit bankar në vend, që kishte nisur në vitin 2015, ishte ezauruar. Grupi grek e argumentoi vendimin mbështetur në performancën financiare dhe përfitueshmërisë së bankës, që, mesa duket, është cilësuar e pakënaqshme nga aksionerët.

Shitja e Alpha Bank do të sjellë një mundësi të re për blerësit e interesuar, për të hyrë në tregun shqiptar, apo për t’u zgjeruar më tej brenda tij. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se lista e shkurtër e ofertuesve të interesuar do të jetë gati pas muajit shtator, ndërsa procesi konkurrues i shpallur nga grupi grek pritet të mbyllet brenda vitit. Megjithatë, largimi zyrtar i Alpha Bank nuk pritet të ndodhë para vitit 2022, për shkak të afateve të nevojshme për marrjen e miratimeve përkatëse rregullatore nga Banka Qendrore dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Reklama e sponzorizuar

Në fund të marsit 2021, Alpha Bank – Shqipëri zotëronte 4.9% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 79 miliardë lekësh. Ndër bankat greke, Alpha ishte ajo që u prek më pak nga pasojat e krizës dhe në vitet e fundit, ka shfaqur ecuri të qëndrueshme, me rezultate financiare pozitive, ndonëse jo shumë të mëdha. Për vitin 2020, Alpha Bank – Shqipëri arriti një fitim prej 218 milionë lekësh dhe një kthim nga kapitali në nivelin 6.34%.

 

Kush mund ta blejë Alpha Bank?

Nëse në vitet e fundit, tendenca e përgjithshme e grupeve të huaja bankare ka qenë largimi nga Shqipëria, ekzistojnë edhe përjashtime. Një i tillë është grupi hungarez OTP, që bleu gjithë rrjetin rajonal të Societe Generale, përfshi edhe bankën shqiptare. Një profil i ngjashëm me OTP janë sllovenët e Nova Ljubjanska Banka (NLB Banka). Burime nga tregu bëjnë të ditur se, në fund të vitit 2019, drejtues të grupit bankar erdhën në Shqipëri për të manifestuar zyrtarisht interesin e tyre dhe zhvilluan takime me disa palë interesi, përfshi këtu edhe Bankën e Shqipërisë.

Dalja në shitje e Alpha Bank – Shqipëri ka krijuar një mundësi konkrete që banka sllovene të hyjë në vendin tonë dhe burimet nga tregu e konfirmojnë këtë interes.

Banka NLB është ish-bankë me kapital 100% shtetëror slloven dhe që prej vitit 2018 e listuar në Bursën e Londrës. 75% e aksioneve janë të listuara në Bursë, ndërsa qeveria sllovene ngelet aksioneri më i madh, me 25% të aksioneve. NLB është e pranishme prej vitesh në të gjitha tregjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshi Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Hyrja në Shqipëri do të finalizonte shtrirjen e grupit slloven në të gjitha tregjet e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i përgjithshëm i bankës sllovene, Blaz Brodnjak, u shpreh në muajin maj për agjencinë serbe “Tanjug” se NLB po e vlerëson mundësinë e hyrjes edhe në tregun shqiptar, për t’u bërë banka e parë e pranishme në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Banka NLB nuk ka marrë pjesë zyrtarisht në proceset e mëparshme të shitjes së bankave tregtare në Shqipëri, në periudhën 2015-2019, për shkak të kufizimeve të vendosura nga Banka Qendrore Europiane. Këto kufizime u hoqën në vitin 2020 dhe sllovenët nuk humbën kohë: vitin e kaluar, NLB hodhi një hap tjetër drejt zgjerimit rajonal, pasi privatizoi 83% të aksioneve të bankës serbe Komercijalna Banka për rreth 395 milionë euro, duke u bërë grupi i tretë më i madh bankar në Serbi. NLB është gjithashtu banka e tretë më e madhe në tregun fqinj të Kosovës.

Ekspertët e tregut bankar mendojnë se aktorët e pranishëm në treg do të jenë sërish palë edhe në procesin e shitjes së Alpha Bank. Në vitet e fundit, subjektet që janë shfaqur më të interesuar për t’u zgjeruar kanë qenë aktorë lokalë, hyrësit e rinj në treg, ose bankat që janë zgjeruar gjatë periudhës së krizës. Bankat që përputhen me këtë “identikit” janë kryesisht OTP, ABI Bank, Tirana Bank, Union Bank apo Fibank.

 

Edhe UBA bëhet shqiptare, Eurosig merr 51% të aksioneve

Por, shitja e Alpha Bank nuk është transaksioni i vetëm në proces në tregun bankar. Një tjetër grup i huaj financiar që ka hequr dorë nga kontrolli i paketës së shumicës së aksioneve për bankën shqiptare është Banka Islamike për Zhvillim. Sipas burimeve nga aksionerët, banka saudite ka arritur marrëveshjen për të transferuar paketën kontrolluese të aksioneve te kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig. Aktualisht, Eurosig mban 21.7% të aksioneve, ndërsa sipas marrëveshjes së arritur, kuotat në pronësi të saj do të arrijnë në pak më shumë se 51%. Transaksioni ka marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa pritet të zyrtarizohet në muajin gusht. Së shpejti, UBA do të bëhet banka e pestë me kapital kontrollues shqiptar.

Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit 2019, duke blerë 9% të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, për afërsisht 1 milion dollarë amerikanë. Në maj 2020, Eurosig nënshkroi pjesën dërrmuese të rritjes së kapitalit të bankës, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, me rreth 984 mijë dollarë të tjerë dhe duke e çuar pjesëmarrjen në 15.32%. Në gusht 2020, Eurosig bleu edhe 1.36% të aksioneve, që mbaheshin nga kompania malajziane Business Focus SDN, për rreth 169 mijë dollarë amerikanë.

Në fund të vitit të kaluar, Eurosig realizoi edhe blerjen e 2.15% të aksioneve që mbahen nga grupi saudit Dallah Albaraka Holding, duke e çuar pjesëmarrjen në UBA në rreth 21%. Deri në fund të vitit 2020, Eurosig kishte investuar mbi 2.4 milionë USD në UBA. Eurosig ka qenë një nga subjektet shqiptare më të interesuara për të përfituar nga epoka e shitjeve me çmime të leverdishme në sektorin bankar. Në vitin 2018, Eurosig pati bërë ofertën më të lartë në garën e blerjes së bankës NBG Shqipëri, por më pas u tërhoq nga gara.

 

Si vendoset çmimi i një banke?

Por, sa vlejnë sot bankat shqiptare? A është blerja e një banke sot investim i leverdishëm? Për bankat që janë të listuara në bursë, çështja në teori është më e thjeshtë, sepse çmimin e përcakton tregu, që ju jep një vlerë ditore aksioneve të kuotuara në të. Kur bëhet fjalë për banka që nuk janë të listuara në bursë, çmimi përcaktohet mbështetur në vlerësime dhe analiza financiare.

Nëse do të gjykojmë nga perspektiva e çmimit, në fakt, blerjet e bankave në Shqipëri në 5-6 vitet e fundit zakonisht janë bërë me çmime relativisht të ulëta, të paktën më të ulëta se kapitali aksioner i bankave. Kjo ka ndodhur për shkak të përkeqësimit të performancës financiare dhe cilësisë së aktiveve të bankave, rritjes së kostove rregullatore, por edhe një rënie të kërkesës për të blerë nga investitorët e rëndësishëm strategjikë.

Zakonisht, në rastin e bankave, çmimi përcaktohet duke vlerësuar një tregues kyç, price to book value, ose çmimi i tregut në raport me vlerën kontabël të aksioneve. Kjo është një teknikë që përdoret sidomos për bankat që janë të listuara në bursë, sepse çmimi i aksioneve të kuotuara në tregjet financiare është metoda më e besueshme për të përcaktuar vlerën e tregut të kësaj kompanie. Në varësi të performancës së aksioneve, ky tregues mund të jetë më i madh ose më i ulët se 1.

Nëse vlera është më e vogël se 1, atëherë vlera e tregut të bankës është më e ulët se vlera nominale e kapitalit të bankës. Kjo ndodh në rastet kur faktorët e mësipërm shtrojnë një perspektivë negative. Ilir Binaj, ekspert kontabël dhe këshilltar investimesh, shprehet se në vlerësimin e çmimit të shitjes së një banke ndikojnë shumë faktorë.

“Së pari, ndikon cilësia e portofolit të kredisë. Duhet parë nëse ky portofol është cilësor dhe nëse provigjionimi i parashikuar reflekton siç duhet cilësinë e tij. Së dyti, shihen projeksionet ekonomike. Nëse pritshmëritë janë për rritje ekonomike të lartë, kjo sigurisht krijon kushte edhe për zgjerim të biznesit dhe të të ardhurave të bankës. Nëse ekonomia ndodhet në vështirësi, do të jetë e vështirë edhe për bankën që të sigurojë fitime” – thotë ai.

Dr. Kledi Kodra, partner menaxhues i Grant Thornton Albania, thotë se në shitjet e bankave shqiptare në vitet e fundit, zakonisht transaksioni ka reflektuar një tregues të rregulluar price to book value (P/BV) më të vogël se 1.

“Në rastin e Shqipërisë, në mungesë të tregjeve të kapitalit, çmimi P do të reflektojë çmimin themelor të gjeneruar nga procesi i vlerësimit. Në kuptim të treguesve themelorë financiarë (fundamentals), nëse P/BV për një bankë është më i vogël se 1, kjo tregon që banka nuk po arrin të krijojë një spread pozitiv ndërmjet kthimit nga kapitalit i vet (ROE) dhe kostos së kapitalit (WACE), pra spread-i është negativ dhe fitimi ekonomik real, llogaritur si kapitali i vet shumëzuar me këtë spread do të jetë negativ – banka nuk po shton vlerë për aksionerët” – thotë z. Kodra.

“Për bankat që nuk janë të listuara, çmimi nis nga vlera nominale e aksioneve, duke bërë rregullime me fitimet rrjedhëse, investimet e kryera për të ardhmen, me pjesën e tregut, me cilësinë e mjeteve, etj. Vlerësimi është kompleks, por në thelb ka cilësinë. Sa garanton ky aset i sotëm për të nesërmen dhe në çfarë mase? Përgjigjja e kësaj pyetje të çon te vlera e bankës” – thotë Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave.

 

Bursat i vlerësojnë pak grupet bankare, përjashtim bën vetëm OTP

Kriza e gjatë financiare, që nisi në vitin 2008, i vendosi në sprovë shumicën e grupeve të mëdha bankare të Europës. Nga një proces ekspansioni dhe rritjeje, shumë prej tyre kaluan në pozita të tërheqjes nga tregjet periferike të Europës Lindore.

Efektet e krizës janë ndier edhe në vlerën që investitorët u kanë vendosur këtyre bankave në bursa. Po të shohim raportin mes çmimit të aksioneve në bursë dhe vlerës së kapitalit (price to book value), për shumicën e tyre, ky raport është më i ulët se 1. E vetmja bankë që tregjet e vlerësojnë sipër vlerës së tyre kontabël është grupi bankar hungarez OTP Bank. Në mesin e muajit korrik, aksionet e OTP tregtoheshin me çmim sa rreth 1.7 herë vlerën e tyre nominale. Kjo shpjegohet me performancën e mirë të këtij grupi gjatë gjithë periudhës së krizës financiare, çka e ka shtyrë drejt një zgjerimi të mëtejshëm në tregjet e Europës Juglindore, lëvizje në kahun e kundërt me atë të shumicës së grupeve të mëdha bankare europiane.

Për grupet e tjera bankare, raporti është ndjeshëm më i ulët se 1, që do të thotë se aksionet kanë një vlerë tregu më të vogël se ajo nominale. Vlerën më të ulët në treg e ka pikërisht grupi Alpha Bank. Çmimi i aksioneve në tregje është afërsisht sa një e pesta e vlerës së tyre nominale. Vijon grupi Raiffeisen, me rreth 0.45, ProCredit, me 0.63 dhe Intesa Sanpaolo, me 0.67.

Në rast se këto banka do të shiteshin sot, çmimi me shumë të ngjarë do të ishte më i ulët se kapitali nominal që kanë derdhur aksionerët e tyre. Çmimi i tregut i grupit bankar nuk nënkupton domosdoshmërisht një referencë të saktë për çmimin e filialeve të bankës. Nuk përjashtohet që filiale të veçanta të bankës të kenë vlerë më të madhe se banka mëmë, sepse mund të kenë një bilanc më të shëndetshëm, pritshmëri më të larta për fitimet e ardhshme, pjesë tregu të kënaqshme, etj. Megjithatë, nëse banka mëmë ka një vlerë tregu që mund të jetë sa një e katërta apo një e pesta e kapitalit të saj aksioner, në teori do të ishte e vështirë që filialet e saj të shiteshin me fitim nga vlera përkatëse e kapitalit aksioner të investuar.

 

Burimi: Bursat Përkatëse

 

Kthimi nga kapitali, mesatarisht 12% për 5 vitet e fundit

Treguesi kryesor, që mat eficiencën e investimit në këndvështrimin e një investitori, është kthimi nga kapitali i investuar në një kompani. Zakonisht, një investim vlerësohet i mirë kur aksioneri arrin ta marrë mbrapsht vlerën e investuar për një afat pesëvjeçar. Po të shohim ecurinë mesatare të këtij treguesi në vitet e fundit, kthimi mesatar është larg një niveli të përafërt prej 20% në vit, që do të garantonte afërsisht një kthim të investimit për një periudhë pesëvjeçare.

Për vitin 2020, kthimi nga kapitali i sektorit bankar, sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, ishte 10.7%, ndërsa mesatarja e pesë viteve të fundit ka qenë rreth 12%. Nga ana tjetër, përfitueshmëria e sektorit bankar ka pasur historikisht një lloj polarizimi të konsiderueshëm dhe në përgjithësi, kthimet më të larta kanë qenë karakteristikë për bankat me pjesë më të madhe tregu. Vetëm në dy vitet e fundit, disa prej bankave të mesme kanë arritur të rrisin përfitueshmërinë dhe të ngjiten në nivele dyshifrore të kthimit nga kapitali.

Dr. Kledi Kodra, i Grant Thornton Albania, thotë se në përgjithësi, bankat shqiptare janë orientuar më shumë drejt zgjerimit të pjesës së tregut, sesa drejt sigurimit të një përfitueshmërie të kënaqshme për aksionerët.

“Në këtë kuadër, ne kemi arritur në konkluzionin që përgjithësisht bankat shqiptare janë më tepër të fokusuara drejt rritjes së market share sesa drejt rritjes së kthimit nga kapitali i vet – me fjalë të tjera, rritja e market share, në mungesë të një kthimi nga kapitali i vet jo në nivelet për të krijuar spread pozitiv, nuk është cilësore dhe shkatërron vlerë për aksionerët” – thotë ai.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Pavarësisht nivelit të kthimit, bankat janë një biznes ku marrja mbrapsht e investimit, në kuptimin e parë të fjalës, nuk është aq e thjeshtë. Një bankë që zmadhohet ka nevojë për injektime të herëpashershme kapitali, për të mbuluar rreziqet e marra përsipër dhe për të qëndruar në përputhje me nivelet e kërkuara rregullatore të kapitalizimit.

Në vitet e fundit, këto kërkesa kanë ardhur në rritje. Gjithashtu, në rrethana të veçanta, shpërndarja e fitimeve mund të pezullohet nga autoriteti mbikëqyrës, siç ka ndodhur në dy vitet e fundit, për shkak të pandemisë dhe krizës ekonomike. Nga ana tjetër, investimi në një bankë mund të jetë fitimprurës nga rritja e përmasës dhe e vlerës së saj të tregut në kohë. Por, edhe kjo është e lidhur me ciklin e ekonomisë dhe koniunkturës së tregjeve, që sot janë gjithnjë e më të globalizuar.

 

Blerjet e deritanishme, ABI dhe OTP, me kthime më të shpejta

Megjithëse është herët për të vlerësuar transaksionet e deritanishme të blerjes së bankave, deri tani, një pjesë e tyre duket se kanë rezultuar transaksione më se me leverdi për blerësit.

Operacioni që hapi shitblerjet në sektorin bankar shqiptar ishte shitja e Credit Agricole Albania në vitin 2015 tek institucioni financiar Tranzit. Vlera e transaksionit nuk u bë publike zyrtarisht, megjithatë, sipas burimeve nga tregu, banka në fjalë u ble pa paguar asgjë, madje duke fituar edhe të drejtat mbi një vlerë borxhi të varur që grupi francez i kishte dhënë bankës shqiptare. Për dy vitet në vazhdim, 2016 dhe 2017, Banka Amerikane e Investimeve raportoi fitime neto gjithëpërfshirëse për rreth 1 miliard lekë. Për një bankë që u mor pa paguar asgjë, ky ka rezultuar një investim shumë i mirë.

ABI Bank ka vazhduar të sigurojë fitime edhe pas vitit 2018, por pas kësaj date, në rezultat përfshihet edhe efekti nga blerja e bankës tjetër, NBG Bank. As në këtë rast, vlera nuk u bë publike, por sipas vlerësimeve të përafërta nga tregu, çmimi i shitjes ishte pak më i lartë se 25 milionë euro. Po të llogarisim se për periudhën 2018-2020, ABI Bank ka raportuar mbi 2.4 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) fitime neto, duket se deri tani, edhe blerja e NBG është në shinat e të qenët një investim mjaft i mirë.

Shembull i një investimi të mirë duket të jetë edhe Banka OTP Albania. Grupi hungarez e bleu bankën në fjalë nga grupi francez Societe Generale. Shifra e transaksionit nuk u bë zyrtarisht publike, por bazuar në informacionet nga tregu, besohet se ishte rreth 32.5 milionë euro. Ky çmim ishte relativisht i ulët, duke pasur parasysh që, ndryshe nga bankat me kapital grek, përgjithësisht Societe Generale Albania ishte bankë me pak probleme të trashëguara dhe me cilësi të portofolit të kredisë, ndjeshëm më të mirë se mesatarja e sistemit.

Ndryshe nga bankat e tjera, Societe Generale Albania nuk u shit me proces konkurrues, por me negociata private mes grupit francez dhe atij hungarez. Kjo ndodhi sepse OTP u angazhua të blinte të gjitha bankat e Societe Generale në rajon. Një fakt i tillë besohet se ndikoi edhe në përfitimin e një çmimi të mirë të shitjes nga hungarezët.

Për periudhën 2019-2020, Banka OTP Albania ka raportuar fitime në vlerën e rreth 2.9 miliardë lekëve, ose pothuajse 24 milionë eurove. Kjo shumë është sa rreth 73% e çmimit të blerjes së bankës, çka tregon se hungarezët janë në rrugën e një shlyerjeje mjaft të shpejtë të investimit.

Transaksioni më i shtrenjtë i viteve të fundit në vlerë absolute ka qenë shitja e Tirana Bank, nga Grupi Bankar i Pireut tek konsorciumi i përbërë nga grupi shqiptar Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka, për një vlerë prej 57.3 milionë eurosh (në dhjetor të vitit 2020, grupi Balfin bleu edhe aksionet e maqedonasve). Për periudhën 2019-2020, Tirana Bank ka arritur një fitim neto në vlerën e më pak se 1.1 miliardë lekëve, ose afërsisht 9 milionë eurove. Mbështetur në rezultatet e deritanishme, Tirana Bank nuk po rezulton një investim me kthim shumë të shpejtë, të paktën jo i krahasueshëm me ABI Bank apo me Bankën OTP Albania.

 

Pesha në rritje e rregullimit

Një element me rëndësi thelbësore në vendimmarrjen e shumë grupeve bankare për t’u larguar nga Shqipëria ka qenë kosto në rritje rregullatore. Autoriteti Bankar Europian, prej vitesh ka vendosur se të gjitha asetet e bankave jashtë BE-së duhet të klasifikohen me koeficientë rreziku 100%, për efekt të llogaritjes së treguesve të kapitalizimit. Ky klasifikim konservator rrit vlerën totale të aktiveve të ponderuara me rrezik dhe në teori, rrit nevojën për më shumë kapital, me qëllim ruajtjen e parametrit rregullator të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Kostoja e mbajtjes së këtyre bankave në kuptimin e kapitalizimit të nevojshëm është rritur, ndaj shumë banka kanë vendosur të largohen nga vendet e rajonit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Ulja e koeficientëve të rrezikut për investimet jashtë BE-së nuk do të bëhet deri në momentin kur Autoriteti Bankar të ketë vlerësuar ekuivalencën e mbikëqyrjes të secilit vend jashtë Bashkimit Europian me kuadrin që aplikohet brenda Unionit. Për Shqipërinë, ky proces nuk është kryer ende dhe deri në atë moment, nuk ka një afat për kryerjen e tij.

Por, kërkesat në rritje rregullatore nuk vijnë vetëm nga jashtë. Këto kërkesa janë forcuar shumë edhe në nivel lokal. Prej vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka nisur edhe aplikimin e shtesave makroprudenciale, që u shtohen kërkesave rregullatore bazë të kapitalizimit të bankave, që përcaktohen në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”. Nga 12% që është kufiri minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit, me shtesën konservuese prej 1%, ky kufi ka arritur në 13%. Duke filluar nga 1 janari 2022, niveli dysheme i këtij raporti për të gjitha bankat do të rritet në 13.5%. Shtesa konservuese do të vazhdojë të rritet me 0.5% çdo vit, deri në vitin 2024.

Por, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike. Këtu përfshihen pesë bankat më të mëdha në vend: Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen, Banka Intesa Sanpaolo, dhe Banka OTP Albania. Aktualisht, BKT, Credins dhe Raiffeisen janë të detyruara të plotësojnë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit 1% më të lartë se bankat e tjera, ndërsa Intesa Sanpaolo dhe OTP 0.5% më shumë se bankat e tjera.

Këto nivele do të qëndrojnë në fuqi edhe për vitin 2022, me përjashtim të BKT, që do të ketë një shtesë të mëtejshme prej 0.5 pikë përqindje. Kjo nënkupton se BKT, vitin e ardhshëm, duhet të ketë një raport të mjaftueshmërisë së kapitalit të paktën në nivelin 15%, Credins dhe Raiffeisen në nivelin 14.5%, ndërsa Intesa dhe OTP Albania, të paktën 14%. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka të drejtë që për banka të veçanta të kërkojë në çdo kohë nivele më të larta të mjaftueshmërisë së kapitalit. Një praktikë e tillë është ndjekur prej vitesh ndaj bankave me kapital grek, për shkak të problemeve specifike që shfaqi tregu financiar atje në vijim të krizës së Borxhit Sovran.

Për shembull, për Tirana Bank, është kërkuar një raport i mjaftueshmërisë së kapitalit në të paktën 15%, nivel që ka ngelur në fuqi edhe pas ndryshimit të pronësisë mbi bankën, në vitin 2019.

Rregullorja për shtesat makroprudenciale të kapitalit u miratua që në mesin e vitit 2019 dhe ato do të aplikohen gradualisht deri në vitin 2024. Kërkesat për një kapitalizim më të lartë të bankave janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë, pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen. Nga ana tjetër, këto kërkesa mund të kenë ndikim frenues në marrjen e vendimeve të bankave të veçanta për të rritur kreditimin, por ndoshta mund të ndikojnë edhe në çmimin e kredidhënies. Përballë trysnisë për të rritur periodikisht kapitalizimin e tyre, bankat mund të priren të rritin marzhet, për të siguruar përfitueshmëri më të lartë.

Veç rritjes dhe shtrëngimit të mëtejshëm të kërkesave rregullatore për bankat, sidomos ato të lidhura me kapitalizimin, kriza frymëzoi edhe krijimin e mekanizmave të reja, që nuk ishin përdorur më parë. Shembulli më domethënës ishte krijimi i një mekanizmi për shpëtimin e bankave në të ardhmen. Një shembull të tillë ndoqi edhe Shqipëria, me miratimin në fundi të vitit 2016 të ligjit “Për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”. Fondi nisi të ngrihej në vitin 2018 dhe krijimi i tij po ecën në përputhje me ritmet e parashikuara. Ky fond ka arritur tashmë vlerën e afërsisht 2.7 miliardë lekëve, në pjesën dërrmuese kontribute të bankave.

 

Pakësimi i bankave nuk e ka rritur përqendrimin e tregut

Pas vitit 2015, kriza nxiti një proces konsolidimi dhe përqendrimi të sektorit bankar në Shqipëri. Numri i bankave tregtare zbriti nga 16 në 12, pas shkrirjes së Veneto Banka me Intesa Sanpaolo, të NBG Bank me ABI Bank, të Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank dhe daljes nga tregu të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.

Në raste krizash, përqendrimi është një proces i zakonshëm në tregjet bankare, që ka si synim krijimin e bankave më të mëdha dhe më të forta financiarisht. Në teori, ulja e numrit të bankave mund të ndikojë në pakësimin e konkurrencës në treg. Praktikisht, kjo nuk ndodh gjithmonë, sepse shpesh bankat që dalin nga tregu nuk janë shumë konkurruese, ndërsa bankat më të mëdha që krijohen mund të jenë më solide, më të gatshme për të marrë përsipër rrezik, duke i dhënë më shumë shtysë konkurrencës.

Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.

Mbështetur në analizat e Raportit vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë, duket se pakësimi i numrit të bankave në treg nuk e ka arritur përqendrimin. Treguesi HHI, i matur për totalin e aktiveve, në fund të vitit 2020 ishte 1500, po aq sa në vitin 2015. Edhe për depozitat, indeksi HHI është në nivelin 1500, pa luhatje të mëdha që nga viti 2015. Për sa i takon kredisë, shkalla e përqendrimit është edhe më e ulët, në nivelin 1200, që nënkupton se për këtë produkt tregu paraqitet edhe më konkurrues. Pas një rritje të lehtë në periudhën 2016-2018, edhe ky tregues është kthyer sërish në nivelet e vitit 2015.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Bankat me kapital shqiptar fitojnë dukshëm terren

Falë rritjes së qëndrueshme organike në vitet e fundit, por edhe për shkak të procesit të shitblerjeve dhe bashkimeve, bankat me kapital shqiptar po fitojnë më shumë pjesë në tregun bankar. Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të tremujorit të parë të këtij viti, bankat me kapital vendas zotëronin 30.6% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend. Krahasuar me një vit më parë, pesha e bankave vendase në treg është rritur me 0.7 pikë përqindje, ndërsa në harkun e pesë viteve të fundit, pjesa e tregut e bankave me kapital shqiptar është rritur me 14.5 pikë përqindje.

Aktualisht, sistemi bankar ka katër banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, ABI Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Të gjitha e kanë rritur pjesën e tyre të tregut në 12 muajt e fundit të mbuluara nga statistikat. Me zyrtarizimin e blerjes së UBA nga Eurosig, pjesa e tregut e bankave shqiptare do të arrijë në të paktën 31.2% të aktiveve totale të sektorit.

Credins Bank mbetet banka më e madhe shqiptare, me 15.7% të tregut, në rritje me 0.4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Vijon ABI Bank, që zotëron 5.5% të aktiveve totale, edhe kjo në rritje me 0.4 pikë përqindje në harkun e një viti. Tirana Bank ka arritur tashmë në 5.3% të tregut, nga 5.1% një vit më parë, ndërsa pjesa e tregut e Union Bank është rritur në 4.5%, nga 4.4% një vit më parë.

Megjithëse bankat me kapital të huaj vazhdojnë të jenë mbizotëruese, pesha e tyre është në rënie të vazhdueshme. Në 12 muajt e fundit, rënien më të ndjeshme e ka shënuar banka më e madhe në vend, BKT, që nga 26.7% mban 26% të tregut bankar. Në rënie janë edhe Intesa Sanpaolo në 12%, nga 12.3% një vit më parë dhe Alpha Bank, që ka zbritur në 4.9% të tregut, 0.2 pikë përqindje më pak se një vit më parë.

Pasi sektori bankar filloi të ndiente efektet e krizës që nisi në vitin 2008, shumica e bankave të cilat u takonin grupeve bankare të Eurozonës, u detyruan të frenonin rritjen, për shkak të përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë, por edhe të kërkesave në rritje rregullative nga autoritetet europiane të mbikëqyrjes bankare. Kjo krijoi më shumë hapësira në treg për ato banka me aksionerë jashtë Eurozonës, që nuk kishin kufizime të këtij lloji. Mes tyre, bankat lokale ishin ndër subjektet më aktive, duke e zgjeruar pjesën e tyre të tregut, sidomos nëpërmjet huadhënies.

Një shtysë të mëtejshme, prania e kapitalit vendas e mori nga procesi i shitblerjeve brenda sistemit. ABI Bank hyri në treg duke blerë fillimisht filialin e Credit Agricole dhe më pas, edhe bankën NBG Albania. Megjithëse fillimisht zotërohej nga aksionerë amerikanë, formalisht ABI Bank ka qenë gjithnjë një bankë shqiptare, sepse kontrolli i paketës së aksioneve bëhej nëpërmjet institucionit financiar tranzit. Pas blerjes së 80% të aksioneve nga drejtori ekzekutiv, Andi Ballta, ABI Bank është edhe në mënyrë të tërthortë një bankë me kapital mbizotërues shqiptar.

Në vitin 2019, edhe Tirana Bank u bë një bankë me kapital shqiptar, pasi Grupi Bankar i Pireut e shiti te grupi Balfin. Një tjetër bankë shqiptare që gërshetoi rritjen organike me zgjerimin përmes blerjeve ishte Union Bank, që në të njëjtin vit bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare.

Zgjerimi i kapitalit shqiptar në sektorin bankar ka të ngjarë të vazhdojë më tej. Ekspertët mendojnë se bankat vendase mund të jenë ndër konkurrentet kryesore për blerjen e Alpha Bank Albania, që u nxor në shitje në muajin maj. /Monitor.al/

 

Burimi: Banka e Shqipërisë