Zëvendëskryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka paralajmëruar se kjo sindikatë do të ndjek hapa ligjorë në rast se nuk ndahen shtesat edhe për dy muaj, për punëtorët e arsimit.
Ai ka thënë se janë të hapur për marrëveshje me MASH-in dhe institucionet tjera lidhur me këtë çështje.
“Si kërkesë e jona personale e SBASHK-ut është që të realizohet marrëveshja që e kemi arritur me Qeverinë e kaluar për shtesat në paga, për tre muaj që kanë qenë. Një muaj është realizuar dhe dy muaj tjerë nuk janë realizuar. Ne i kemi çuar në gjykata, përmes gjykatës me shku, por çdoherë kur po shkohet përmes gjykatës përveç vonesave që po bëhen po dëmtohet përsëri buxheti i Kosovës me një shumë mund të them rreth 20% më tepër”, ka thënë ai ne T7.
Në rast se kjo marrëveshje nuk arrihet, sipas Ymerit çështja mund të shkojë në Gjykatë dhe të dëmtohet edhe më shumë buxheti i vendit.
“Ideja jonë është që mos të shkojmë përmes gjykatave për shkak se po dëmtohen. Deri tash çdo lëndë që e kemi çuar në gjykatë e kemi fituar por po dëmtohet buxheti i shtetit”, ka thënë Ymeri.
Më tutje nënkryetari i SBASHK-ut foli edhe për kërkesa të tjera që i ka kjo Sindikatë.
“Kërkesat tona nuk janë diçka që nuk mund të përballen. Një prej kërkesave ka qenë që shkollën dhe mësimin ta kthejmë në gjendje normale. Tash kërkesë e jona është që kalendari shkollor të ulemi bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe ta harmonizojmë njëjtë me atë të vendeve të rajonit”, ka thënë ai.