Shqipëria është një nga vendet më të vogla në Europë, por tërheq gjithnjë e më shumë turistë çdo vit. Nga ujërat e kaltër tek vendet historike, kjo republikë e Ballkanit ka gjithçka që tërheq dhe josh turistët e huaj.
Këto janë fjalët me të cilat media franceze Francetvinfo e nis artikullin dedikuar Shqipërisë dhe bukurive natyrore të saj.
“Kudo që të jeni, deti dhe malet janë në dispozicionin tuaj. Në horizont duken kështjella të ngritura. Në bregdet, një kombinim i të gjelbrës dhe blusë. Mirësevini në Shqipëri, një destinacion shumë i arritshëm në Europë. Në jug të vendit të emërtuar si “Tajlanda e vogël” nga vendasit, Ksamili është një plazh shumë i popullarizuar nga turistët e huaj, si disa francezë që kanë ardhur me pushime në një shtëpi idilike prej 80 metrash katrorë me një çmim midis 75 dhe 140 euro për një natë.”
Më shumë se 6.5 milionë turistë në vitin 2019
Në vitin 2019, Shqipëria mirëpriti më shumë se 6.5 milionë turistë, gati dyfishi i numrit të 15 viteve më parë. Për t’i akomoduar ata, hotelet po shtohen në Rivierën shqiptare me dhoma me 50 euro për natë. Udhëtarët mund të ikin nga plazhi për të zbuluar pasuri të tjera të vendit si një qytet antik i klasifikuar si një vend i trashëgimisë së UNESCOs. E mbyllur gjatë dekadave të diktaturës komuniste, Shqipëria po i hapet turizmit vitet e fundit, sepse ky vend ballkanik ka disa nga peizazhet e fundit të pashkelura mesdhetare.