Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) raportoi pranë Entit Rregullator te Energjisë se në gjashtë mujorin këtij viti faturat ndaj të cilave është paguar kamatëvonesë kapin nivelin 1.86 milion dhe vlera monetare e penalitetit llogaritet në 342 milionë lekë apo 2.7 milionë euro.
Kamatëvonesat janë detyrime që i lindin konsumatorit në momentin që nuk ka bërë brenda afatit 30 ditor pagesën për faturën e energjisë. Pra nëse faturën e muajit korrik nuk e paguan brenda muajit gusht.
Përpos këtyre OSHEE vijon prej vitesh që të arkëtojë edhe detyrimet e prapambetura nga konsumatorët që kanë lidhur aktmarrëveshje për shkak të borxhit të akumuluar ndër vite. Këto aktmarrëveshje u lidhën prej disa vitesh si për klientët familjarë dhe për biznesin dhe parashikonin shlyerjen me këste por çdo këst nuk mund të ishte më i vogël se 2,000 lekë [16 euro].
Në total arkëtimet e OSHEE në fund të qershorit shënuan vlerën 35 miliardë lekë [28.75 milionë euro] apo një mesatare 96.1 për qind si 6-mujor ndërkohë që maji dhe qershori kanë shënuar arkëtimet 100 për qind të faturave, ndryshe nga fillimi i vitit kur norma e arkëtimit të faturave ishte në nivelet pak më shumë se 86 për qind apo 88 për qind.
OSHEE raportoi se në 6 muaj janë regjistruar në total 2093 fatura të emërtuara pa lexim (dëm ekonomik) teksa sasia e energjisë ë faturuar si dëm është në nivelin 14.1 mijë MWh.
Humbjet në rrjetin e shpërndarjes, pra të OSHEE arritën në një mesatare 22.3 për qind në 6 mujor ku humbjet joteknike (lidhjet e jashtëligjshme, vjedhja e energjisë) zë 7.7 për qind kurse humbjet teknike që ka në rrjet edhe për shkak të amortizimit të tij 13.28 për qind. Në tensionin e lartë humbjet në 6 mujor kishin një mesatare prej 1.47 për qind.
Në rrjetin e shpërndarjes përgjatë periudhës janar-qershor ka hyrë në total një sasi energjie prej 3.9 milionë MWh. Në gjithë sektorin energjetik prodhimi ishte në total 6 milionë MWh nga të cilat rreth 57 për qind erdhi nga KESH ndërsa pjesa tjetër nga hidrocentralet private që ose shesin energji në tregun e lirë sit ë pavarur ose tek OSHEE të konsideruar si prodhues me përparësi me kapacitet të instaluar 15 MW.