Si dalin aksionet në treg? Cilat letra me vlerë duhet të blini? Çfarë duhet të dini për tregun e kapitalit?

Duke i vënë në përdorim paratë tuaja në tregun e kapitalit, ju mund të bëheni pronarë të kompanive apo huadhënës të bizneseve dhe qeverisë.

Tregu i kapitalit, pavarësisht nga kompleksiteti i problemeve që paraqet, në thelb është i ngjashëm me çdo lloj tregu. Kështu, në tregun e fruta-perimeve, fermerët vinë për të shitur produktet e tyre duke u takuar me njerëzit, të cilët kërkojnë të blejnë produkte të freskëta.

Fermerët përfitojnë nga fakti se gjejnë shumë blerës potencialë në të njëjtin vend. Por edhe blerësit përfitojnë nga mundësia për të zgjedhur produktin më cilësor dhe me çmimin më të mirë në shumëllojshmërinë e produkteve.

Reklama e sponzorizuar

Në mënyrë të ngjashme ndodh edhe në tregun e kapitalit. Në këtë treg, fermerët zëvendësohen nga bizneset dhe qeveria. Blerësit janë investitorët, siç mund të jeni ju ose unë, ose dhe organizata të mëdha, të quajtura investitorë institucionalë. Produktet që ofrohen në tregun e kapitalit quhen letra me vlerë.

Ashtu si dhe fermerët që shesin prodhimet e tyre për të fituar më shumë për mirëqënien e tyre dhe për të blerë farë apo ushqime për kafshët, edhe qeveria e bizneset shesin letrat me vlerë për të patur më shumë para për të financuar aktivitetet e tyre. Një tjetër ngjashmëri ka të bëjë me faktin se në tregun e kapitalit ju do të gjeni një shumëllojshmëri letrash me vlerë, gjë që u lejon ju të zgjidhni atë që ju duhet.

Si blerës në tregun e kapitalit, ju keni mundësinë të zgjidhni dy grupe letrash me vlerë. Ju mund të blini letra pronësie siç janë aksionet, që do të thotë se ju po blini pjesë pronësie në biznes. Ose ju mund të blini letra borxhi siç janë obligacionet, që do të thotë se ju i keni dhënë hua bizneseve apo qeverisë, e cila do t’ju rikthehet kundrejt interesit.

Pronësia. Ju bëheni pronar i një biznesi, nëse blini aksione të tij. Kjo ju jep të drejtën të merrni pjesë në suksesin e firmës. Nëse kompania shkon mirë, ajo mund t’ju paguaje divident, që do të thotë pjesa e fitimit që ju takon ju.

Shumica e aksioneve janë aksione të zakonshme. N.q.s ju zotëroni ato, jeni një nga pronarët e kompanisë. Një lloj tjetër aksioni është aksioni i preferruar. Këto aksione ju japin të drejtën të merrni një shumë të përcaktuar, pra dividentin fiks, përpara se të paguhen aksionerët e aksioneve të zakonshme.

Aksionerët e aksioneve të preferruara, në rastin më tipik, nuk kanë të njëjtat të drejta si aksionerët e zakonshëm. Ata kanë, vetëm, një pretendim, atë të dividentit dhe asgjë më shumë. Kjo do të thotë se edhe n.q.s. kompania rezulton me shumë fitim, aksionerët e preferruar do të marrin vetëm shumën e caktuar të dividentit.

Mirëpo, si aksioner i zakonshëm, ju mund të gezoni shumë përfitime nga ecuria e mirë e kompanisë. Ju mund të fitoni dividentë dhe, gjithashtu, të shisni aksionet tuaja me leverdi, nëse biznesi po shkon mirë. Por, nëse kompania nuk po ecën mirë, është e vështirë që ajo të paguaje dividentë. Derisa nuk ka fitime, nuk ka çfarë të shpërndajë. Gjithashtu, fakti është se aksionet e kompanisë nuk do të kenë atë vlerë, sa ju keni paguar për to. Ju duhet t’i shisni ato me humbje.

Huadhënia. Mënyra tjetër është të japësh hua paratë e tua në ndonjë biznes apo tek qeveria. Shumica prej nesh, pothuajse e bëjnë këtë indirekt nëpërmjet llogarive të kursimit pranë një banke. Bankat i përdorin paratë që ne depozitojmë për t’i dhënë hua tek bizneset, duke përfituar nga diferenca e normës më të lartë të interesit për paranë që japin hua, kundrejt asaj që na paguajnë ne për paranë e depozituar.

Mënyra më direkte që ju të bëheni huadhënës në një treg kapitali është blerja e letrave me vlerë apo instrumentave të borxhit. Në këtë rast, huamarrësi – qeveria apo biznesi – premton t’u paguaje ju huanë në një datë të caktuar kundrejt interesit.

Ju mund të zgjidhni në shumëllojshmërinë e letrave me vlerë të borxhit. Obligacionet e garantuara janë letra me vlerë relativisht të sigurta, sepse pas tyre qendron një mjet i caktuar, p.sh. një pasuri e palujtshme. N.q.s. huamarrësi nuk i përmbahet marrëveshjes, ju mund të shisni mjetin e venë garanci, për të marrë paratë tuaja.

Obligacionet e pagarantuara janë thjesht një premtim për të paguar, nuk kanë ndonjë mjet si garanci. Obligacionet që emeton qeveria në të vertetë nuk kanë ndonjë mjet si garanci, por njerëzit i quajnë ato obligacione të garantuara, sepse qeveria është një huamarrës i një cilësie të lartë.

Përfitimi i të qenit huadhënës në një kompani se sa pronar ndodh kur kompania është duke falimentuar. Në këtë rast, duke qenë huadhënës apo kreditor i kompanisë, keni përparësi në marrjen e parasë tuaj.

Nëse zotëroni aksione, ju keni vetëm një të drejtë, të merrni atë çdo mbetet pasi të jetë paguar i gjithe borxhi. Në rastin e falimentimit të kompanisë ka një renditje në likuidimin e detyrimeve sipas kësaj radhe: kreditorët, mbajtësit e obligacioneve, aksionerët e preferuar dhe në fund aksionerët e zakonshëm. Kjo do të thotë se shpesh herë aksionerëve të zakonshëm nuk u mbetet asgjë nga likuidimi i kompanisë.

Si dalin aksionet në treg?

Për të financuar rritjen e tyre, kompanitë mund të marrin hua nga bankat, por në vend të kësaj ato mund të plotësojnë nevojat e tyre për para duke shitur një pjesë të biznesit të tyre tek investitorët, një prej të cileve mund të jeni dhe ju. Kjo realizohet me anë të shitjes së aksioneve të zakonshme. Nëse ju blini aksione, ju bëheni një nga pronarët e kompanisë. Aksionet dalin në treg në dy faza. Faza e parë quhet tregu primar. Në këtë treg kompania shet aksione tek  investitori dhe grumbullon paratë. Në fazen e dytë, të quajtur tregu sekondar, investitorët blejnë dhe shesin aksione midis tyre, duke ndryshuar pronësinë, ndersa kompania nga ana e saj nuk shton fondet.

Tregu primar.

Për të shitur aksionet, kompania konsultohet me një tregtar investimesh (dealer), i cili gjithashtu, quhet nënshkrues i letrave me vlerë. Tregtari i investimeve i jep këshilla kompanisë mbi sasinë e aksioneve që do shiten, sa do paguhet për to, gjithashtu ndihmon për t’i shitur aksionet si tek investitorët institucionale si kompanitë e sigurimit, fondet private të pensioneve, ashtu dhe tek investitorët individuale, siç mund të jeni ju.

Ju dhe investitorët e tjerë shpresoni të merrni pjesë në fitimet e kompanisë, duke përfituar dividentin, ose duke i shitur aksionet me çmim më të lartë. Kompanitë e reja nuk mund të paguajnë dividentë. Ato riinvestojnë fitimet në kompani për të zgjeruar aktivitetin dhe për t’u fuqizuar më tej. Investitorët shpresojnë se kompanitë do të rriten dhe do bëhen më fitimprurëse, duke i bërë dhe aksionet e tyre më të vlefshme.

Kur tregtari i investimeve (dealer) shet aksionet, kompania merr paratë dhe vazhdon aktivitetin e saj. Këtu përfundon tregu primar.

Tregu sekondar.

Pasi kompania shet aksionet tek investitorët, shpesh zhvillohet tregu sekondar. Por, gjatë kësaj kohë kompania nuk merr para. Tregu sekondar bëhet nga investitorët, të cilët tregtojnë aksionet e kompanisë mes tyre. Tregu sekondar ekziston, sepse nëse ju doni t’i ktheni në para aksionet tuaja, nuk mund t’i çoni ato tek kompania. Në vend të kësaj, ju duhet t’i shisni aksionet tek investitorët e tjerë në tregun e hapur.

Tregjet sekondare më të njohura janë bursat, të cilat bashkojnë njerëzit që kërkojnë të shesin aksione me ata që kërkojnë t’i blejnë ato. Tregu sekondar është shumë i rëndësishëm, sepse kur ju bëheni aksioner, ju nevojitet një treg ku mund të shisni aksionet dhe të merrni investimin tuaj fillestar, ndoshta duke fituar dicka. Pa tregjet sekondare, kompanitë do ta kishin të vështirë të siguronin para për financimin e aktivitetit të tyre.

Si dalin në treg obligacionet?

Ashtu si për aksionet, edhe për obligacionet ekziston tregu primar dhe tregu sekondar. Ndryshimi qendron se ju do të gjeni në treg si kompani, ashtu dhe qeverinë. Kur qeveria nuk ka fonde të mjaftueshme për të financuar projektet apo programet, mund të marrë hua duke emetuar obligacione.

Tregu primar.

Procesi i huamarrjes në tregun e kapitalit është i ngjashëm me atë të emetimit të aksioneve. Mirëpo, në vend që ju të bëheni aksioner, ju bëheni një huadhënës.Kur ju blini një obligacion, ju keni dhënë hua paratë tuaja tek një kompani apo qeverisë, pra tek një emetues, i cili ju premton t’ju ktheje paratë në të ardhmen. Shuma e huasë, e quajtur principali (shuma fillestare) paguhet në fund të afatit të obligacionit, afat, i cili mund të jetë deri në 30 vjet apo më shumë.

Në të njëjtën kohë emetuesi premton të paguaje interesin sipas një normë të caktuar. Kjo paguhet, zakonisht, dy herë në vit, deri në fund të jetës së obligacionit.

Tregu sekondar

Ju mund të mos dëshironi ta mbani obligacionin derisa emetuesi të ktheje principalin tuaj. Ju mund ta shisni atë tek një investitor tjetër në tregun sekondar. Si dhe tek aksionet, emetuesi nuk përfiton direkt fonde nga tregtimi sekondar i obligacioneve. Nëse ju do ta shisni obligacionin, çmimi i tij do të varet nga shumë faktorë, duke marrë parasysh llojin e obligacionit që mbani, norma e interesit të tregut në kohën e shitjes, etj. Nëse normat e interesit janë duke u rritur, ju mund të pësoni humbje nga shitja, dhe e kundërta.

Cilat letra me vlerë duhet të blini?

Përgjigja nuk është e thjeshtë, për të treguar se cilat produkte në tregun e kapitalit janë më të mira për ju. Zakonisht një kombinim i letrave me vlerë të kapitalit aksioner me ato të borxhit, me një përqindje të parasë së gatshme, formojnë një portofol. Natyrisht, që të zgjedhësh ekzaktësisht, se në cilen kompani të bëhesh pronar, apo cilat obligacione të blesh, duhet pak më shumë investigim./Scan tv/