Me 67 vota për nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vlora Spanca është zgjedhur në pozitën e auditorit të përgjithshëm.
Para se deputetët e Kuvendit të votonin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë, partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja kanë kritikuar zgjedhjen e saj, duke thënë se emërimi i saj është konflikt interesi.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri dhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj thanë se nuk do të duhej të zgjedhej Spanca në këtë pozitë, pasi motra e saj është këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani tha se pjesë e komisionit që zgjedhin auditorin nuk është vetëm nga Presidenca, por janë edhe nga shoqëria civile, Banka Botërore e institucione tjera, përfshirë edhe kompaninë e angazhuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe për mbikëqyrje të këtyre propozimeve, ku tha se ka dal kandidatja me pikët maksimale.