Vonesat në vaksinimin e popujve – Ekonomia globale mund të humbasë rreth 2.3 trilionë dollarë deri në 2025

Ekonomia globale mund të humbasë triliona dollarë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, për shkak të vonesave në vaksinim, me ekonomitë në zhvillim që do të njohin pjesën më të madhe të humbjeve, përllogarit The Economist Intelligence Unit në një raport.

Vendet që nuk do të jenë në gjendje të vaksinojnë rreth 60% të popullsisë së tyre deri në mes të vitit 2022 do të humbasin 2.3 trilionë dollarë mes vitit 2022 deri në 2025, parashikon Njësia e Inteligjencës e The Economist.

“Vendet në zhvillim do të marrin mbi vete rreth 2/3 e këtyre humbjeve, duke vonuar konvergjencën ekonomike krahasuar me vendet e zhvilluara”, deklaroi drejtoresha e parashikimeve pranë Economist Intelligence Unit, Agathe Demarais. “Azia do të jetë kontinenti më i prekur në terma absolutë, me humbje të projektuara që arrijnë në 1.7 trilionë dollarë, apo 1.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit. Sipas raportit, vendet në Afrikën sub-Sahariane do të humbasin rreth 3% të GDP-së së tyre, që është niveli më i lartë në përqindje.

Reklama e sponzorizuar

“Këto vlerësime përfshijnë vetëm mundësitë e humbura ekonomike, veçanërisht në planin afatgjatë, ndërsa dëmet mund të jetë akoma më të mëdha, pasi, përshembull, efekti i pandemisë në arsim nuk është marrë parasysh në kët studim. Vendet e pasura u përqëndruan më shumë në zhvillimin e mësimit online, gjatë pandemisë, por shumë vende në zhvillim nuk e kishin këtë mundësi. Më shumë se 213 milionë njerëz janë infektuar me Covid-19 dhe të paktën 4.4 milionë kanë gjetur vdekjen gjatë pandemisë, referuar të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Deri më tani, vendet e pasura po ecin përpara me programet e vaksinimit kundër Covid-19, madje pritet të fillojnë edhe injektimin e dozave të treta mbështetëse, duke rihapur ekonomitë e tyre. Në anën tjetër, vendet e varfëra po mbeten prapa në mënyrë drastike, në garën për t’u vaksinuar. Deri më 23 gusht, rreth 5 miliardë doza të vaksinave janë administruar në të gjithë botën, por vetëm 15.02 milionë doza kanë shkuar për vendet me të ardhura të ulëta./SCAN TV/